Thirrjet e Yuri Kim për Tom Doshin, reagon qeveria: Nuk janë për PS, ai nuk është aleat i yni

24 Mars 2021, 21:49

Për qeverinë shqiptare, thirrjet e ambasadores amerikane Yuri Kim për të ndaluar Tom Doshin për të kandiduar në zgjedhjet e 25 prillit 2021, nuk i adresohen Partisë Socialiste, pasi Doshi i përket një partie tjetër. Endri Fuga, drejtor i komunikimit i kryeministrit Rama, ka pohuar për Zërin e Amerikës se PS nuk mund të falsë për partitë e tjera dhe Doshi nuk është as aleat i PS-së.

“Ambasadorja Kim e ka bërë më parë shumë të qartë me gojën e saj, qëndrimin e Kryeministrit, se Tom Doshi as nuk është aleat i Partisë Socialiste dhe as do të jetë pjesë e qeverise së re të Partisë Socialiste! Kështu që ne nuk e lexojmë mesazhin e ambasadores Kim si një thirrje për PS e as marrim përsipër të flasim në emër të shumë partive të tjera, të cilat nuk janë prononcuar për rastin në fjalë”, ka pohuar Fuga.

Në reagimin e tij,  Fuga ka pohua se “mes Partisë Socialiste dhe Shteteve te Bashkuara, si edhe mes Kryeministrit Rama dhe ambasadores Kim, nuk ka asnjë dallim as për këtë çështje dhe as për asnjë çështje që është në interes të marrëdhënies së shkëlqyer mes nesh e aleateve tanë strategjikë”.

Në postimin e saj në Twitter, ndërsa vlerësonte qëndrimin e Partisë Demokratike, ambasadorja Kim ngrinte pyetje ndaj forcave të tjera politike se përse ato heshtnin.

“Shënojmë se PD dhe të tjerët nuk duan në Parlamentin E Shqipërisë dikë të caktuar nga SHBA për korrupsion. Të tjerëve: Nga çfarë keni frikë? A është e "dobishme" të heshtësh? Pse i lini njerëzit të mendojnë se jeni "aleatë"? A është kjo ajo që mendoni se meritojnë votuesit? Shqipëria meriton më mirë”, shkruante Kim një ditë më parë

Ambasadorja amerikane Yuri Kim u ka kujtuar partive dhe KQZ-së se Tom Doshit i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej vitit 2018, për shkak të informacioneve për përfshirje në korrupsion domethënës. Për rrjedhojë, ambasadorja ka kërkuar që të Tom Doshi të mos kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit.

Megjithatë, KQZ e ka regjistruar Tom Doshin në zgjedhje, por ka nisur një verifikim të thelluar rreth tij.