TIRANË- Prania e emrit të Dom Doshit në listën e zezë të DASH dhe takimet e shpeshta të ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim dhe kryekomisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashin kanë dhënë efektin e tyre. Sot KQZ-ja i ka kërkuar njësisë së dekiminalizimit hetim të thelluar për kryetarin e PSD-së, Tom Doshi, si edhe për 11 kandidatë të tjerë për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.

Në këtë listë janë 3 kandidatë nga PS, 4 nga PD, 1 nga LSI. Në listën e dërguar bën pjesë edhe Rezart Tusha dhe Zef Hila nga radhët e demokratëve. Verifikimi i Tushës, ka nisur pas publikimit të lajme ku rezulton me precedentë penal si shitës heroine i arrestuar në Zvicër. Tusha është shkarkuar në vitin 2013 si drejtor i Burgut të Rrogozhinës dhe i kallëzuar penalisht, me akuzën se u jepte leje të paligjshme të dënuarve. Nga ana tjetër, verifikim të thelluar u kërkua edhe për Zef Hilën i cili u shkarkua si kryebashkiak i Vaut të Dejës pas djegies së KZAZ-së në Bushat.

Nuk i ka shpëtuar “lupës së KQZ-së”, as koalicioni ABEOK që përbëhet nga Partia Konservatore Albania me kryetar Kujtim Gjuzin, Partia Ora e Shqipërisë me kryetar Zef Shtjefnin, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë me kryetar Selami Jenisheri dhe Partia Emigracioni Shqiptar, me kryetar Kostaq Papa. Në radhët e këtij koalicioni, janë 2 emra për të cilët kërkon më shumë të dhëna mbi pastërtinë e figurës së këtyre kandidatëve. Më konkretisht, Altin Gjeloshaj dhe Elsa Voka.

Lista e kandidatëve që KQZ kërkon hetim të thelluar
 Koalicioni ABEOK:
- Altin Gjeloshaj
- Elsa Voka
     Partia Lëvizja Socialiste për Integrim:
- Arbër Arifaj
Partia Demokratike:
- Agron Kapllanaj
- Gentjan Muca
- Rezart Tusha
- Zef Hila
Partia Socialdemokrate:
- Kleo Murataj
- Tom Doshi
Partia Socialiste:
- Artan Bitri
- Halim Dauti
- Leonard Beqiri

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:56
KQZ kërkoi hetim të thelluar/ Kush është kandidati i Bashës, ish-futbollisti i dënuar për nxitje të urrejtjes në stadium

Repor Tv ka mësuar se në listën e kandidatëve për deputet të PD-së që KQZ kërkon verifikim të thelluar është edhe Gentjan Muca, ish- kapiteni i Tiranës. Mësohet se Muça është dënuar me 1 vit pezullim nga aktivitetet sportive nga Komisioni i Disiplinës në FSHF për nxitje të urrejtjes në publik pasi në përfundim të një ndeshjeje të fituar të Tiranës ndaj Partizanin ka nxitur tifozët duke folur me megafon  

"Tirana! Mbyte morrin e kuq! Mbyte Beogradin! Mbyti komunistët", ka thënë ai.

Për këtë Gentjan Myca është dënuar me 1 vit pezullim nga aktivitetet sportive nga Disiplina në FSHF, por që më pas Komisioni i Apelit e uli dënimin në vetëm 6 ndeshje pezullim dhe gjobe. Vetë Muca në atë kohë ka thënë se është i habitur nga ky vendim pasi thjesht ka sharë komunizmin që i mbyti shqiptarët. Megjithatë, nuk dihet nëse është kjo arsyeja apo jo që KQZ kërkon hetim të thelluar, apo ka një çështje tjetër.