Në 24 orët e fundit, Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet në rrugët e kryeqytetit, me fokus parandalimin e drejtimit të mjeteve nën ndikimin e lëndëve narkotike dhe tentativat për korrupsion ndaj punonjësve të policisë.
Gjatë kontrolleve u arrestua shtetasi grek, 36-vjeçari A.Th., i cili u kap duke përdorur telefonin gjatë drejtimit të mjetit dhe pa vendosur rripin e sigurimit. Gjatë procedurës policore, ai tentoi të korruptonte punonjësin e policisë duke i ofruar 20 euro për të shmangur ndëshkimin. Për shkak të sjelljes së tij të dyshimtë, iu bë kontrolli personal, ku u gjetën 4.87 gramë lëndë narkotike e dyshuar si kanabis. ???? Pas testimit me aparatin AquilaScan, ai rezultoi pozitiv për THC dhe u arrestua për veprat penale të “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve.”
Në një tjetër rast, më datë 21.10.2024, në rrugën “Asim Vokshi” tek kryqëzimi i “Don Boskos”, u arrestua shtetasi S.L., 26 vjeç, banues në Tiranë. Ai nuk iu bind sinjalit të punonjësit të policisë për të ndaluar dhe vazhdoi lëvizjen me automjetin e tij. Gjatë ndërhyrjes për ta ndaluar, S.L. kundërshtoi dhe sulmoi verbal dhe fizikisht policin. Pas shoqërimit në komisariat dhe testimit, u konstatua se ai drejtonte mjetin nën efektin e amfetaminës dhe kokainës. Ai u ndëshkua me masë administrative dhe iu zbritën 12 pikë nga patenta.