Tiranë, vidhnin të dhënat e kartave bankare dhe blinin online, 2 në pranga dhe 5 në hetim!

26 Maj 2021, 13:51 | Përditesimi i fundit: 2021-05-26 16:28:23

TIRANË- Një grup i strukturuar i cili vidhte të dhënat e kartave bankare dhe me to kryente blerje online, është shkatërruar duke çuar në pranga 2 persona dhe 5 të tjerë janë shpallur në Kërkim. Report Tv mëson se në pranga kanë rënë Qirjako Topi e Igen Basha, teksa hetimet nisën pas kallëzimit nga një kompani celulare, të cilës iu shkaktua një dëm prej 33 mln lekë. Topi është kapur në flagrancë teksa po merrte porosinë e kryer online.

Skema e mashtrimit
Referuar burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, Qirjako Topi në bashkëpunim me Igen Bashën dhe personat e tjerë të vënë nën hetim shqiptarë dhe të huaj, kanë përdorur të dhëna kartash bankare të cilat dyshohet se janë vjedhur nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të vendin dhe blinin telefona celularë.Hetimet
Hetimet nisën pas kallëzimit nga një kompani celulare, të cilës iu shkaktua një dëm prej 33 mln lekë. Nga ana tjetër, dyshimet janë se dëme të konsiderueshme kanë dhe kompani të tjera të cilat shesin produkte online dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim. Ndërkohë 5 persona të tjerë janë vënë në hetim, 2 prej të cilëve të huaj pasi akuzohen si bashkëpunëtorë në këtë skemë. Në kuadër të këtij operacioni, u kontrolluan disa banesa dhe ambiente dhe me cilësinë e provës materiale u sekuestruan telefona celular, laptopë dhe dokumente, fatura të ndryshme bankare etj.