TIRANË- Një tjetër divorc (pas ngjarjes në Elbasan), ka sjellë vrasje në mes të Tiranës, pranë gjykatës. Mexhit Picari 53 vjeç ka vrarë në mes të lokalit, bashkëshortin e vajzës në proces divorci, Kudret Saliaj 41 vjeç, pak minuta para seancës së 5-të. I plagosur, jashtë rrezikut për jetën, mbeti dhe avokati i viktimës, Adriatik Cama.
Kudret Saliaj është qëlluar me 8 plumba, nga vjehrri, ndërsa në trup e kanë kapur 5 plumba. Viktima në momentin që është vrarë nga ish-vjehrri, ndodhej pranë gjykatës duke konsumuar një kafe me avokatin et tij në këtë proces divorci, Adriatik Camaj i cili po ashtu ka mbetur i plagosur. Autori ka qenë bashkë me vajzën Dhurata Salia në të njëjtin lokal me viktimën, disa karrige me tej. Burime për Report Tv bëjnë me dije se nuk ka pasur sherr mes tyre por ai i ka shkuar afër dhe e ka qëlluar me pistoletë. Pasi ka kryer vrasjen, autori është larguar me këmbë mes pallatesh dhe më pas është arrestuar tek shtëpia e vajzës së tij në Yzberisht. Në dëshminë e tij në polici Mexhit Picari tha se e ka bërë vrasjen për dinjitetin e vajzës, duke thënë se e kanë akuzuar pa të drejtë për tradhti ndaj bashkëshortit dhe dhunë fizike e psikologjike ndaj 3 fëmijëve të saj.















