TIRANË- Biznesi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, u sulmua me një metodë të padëgjuar më parë në Shqipëri, sasi tritoli e lëshuar nga ajri. Autorët përdorën dron të mbushur me eksplozivë, mbi tarracën e godinës 3-katëshe, por për profesorin e kriminalistikës, Ervin Karamuça nuk është befasi.
“Kanë qenë të pritshme. Agjencitë ligjzbatuese të huaja kanë kohë që kanë vënë alarmin për Shqipërinë, për organizimin shumë të strukturuar të grupeve kriminale, qoftë në aspektin financiar ato janë fuqizuar shumë, por edhe në një element të ri, që është rritja e kapaciteteve profesionale të tyre. Do të thotë se ata janë të aftë të përdorin dron, mina me telekomandë, të përdorin të gjithë atë lloj teknologjie, e cila është shumë e shtrenjtë. Është e shtrenjtë sepse nuk lë gjurmë”, shprehet profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuça.