U ekzekutua me plumb në gojë, policia: Vrasësit janë Ibrahim Lici dhe një 15-vjeçar! Gruaja e viktimës: Nuk na e kanë bërë Licët

18 Maj 2021, 16:51 | Përditesimi i fundit: 2021-05-18 17:00:44

Për policinë e Shkodrës, pas ekzekutimi të 32-vjeçarit Endri Mustafës më 17 maj në Shkodër, fshihet Ibrahim Lici, 28-vjeçari jo pak i njohur në valën e vrasjeve mes bandave prodhuar në kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë.

Blutë e Shkodrës nën drejtimin e Prokurorisë së rrethit thonë se kanë dokumentuar me prova autorësinë e Licit duke e shpallur në kërkim për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

Një dëshmi e fortë në duart e hetuesve është e ajo e 15-vjeçarit, Ergys Malja, të vënë në pranga, me akuzën e vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim.

Emri i Ibrahim Licit si autor duket të ketë dalë nga i mituri, por Mustafa Lici, babai i 28-vjeçarit flet për një skemë të ngritur nga policia për të implikuar pa faj djalin e tij. Për mediat, ai ka thënë se 15-vjeçari Ergys Malja punon për Astmer Bilalin, pjesë e grupit të të cilit ishte edhe viktima Mustafa, dhe për grupin Bajri. Sipas tij, janë Bajrajt dhe Astmer Bilali, që kanë përdorur 15-vjeçarin Ergys Malja me qëllim që të thotë se krimin e ka kryer në bashkëpunim me Ibrahim Licin.

E veshur me të zeza, në ditën kur bashkëshorti përcillej për në banesën e fundit, Ingrid Mustafa, nuk di të thotë emrin e personit që fshihet pas vrasjes së burrit, por me bindje thotë se ka dëshmuar në polici që autor nuk është Ibrahim Lici. Sipas saj është 15-vjeçari Ergys Malja që e ka nxjerrë bashkëshortin e saj nga shtëpia, duke i dërguar një mesazh të koduar në telefon dhe se pas tij qëndron dikush tjetë që ka dashur eleminimin e Endri Mustafës. I mituri i arrestuar ishte personi i fundit që ka takuar Mustafën, duke e nxjerrë nga shtëpia vetëm përmes një mesazhi në telefon. Nga ai moment 32-vjeçari nuk u kthye më në banesë, derisa u gjet 3 ditë më pas i vrarë me 6 plumba, njëri prej të cilëve në gojë, në zonën e Livadheve.

Endri Mustafa ishte në kërkim për një arsenal armësh zbuluar nga policia në 2019-ën, dhe bashkëshortja zbulon se kishte ardhur në shtëpi për Bajram, dhe po atë ditë pas një mungese të gjatë, i kishte vizituar edhe i mituri Ergys Malja.

Për krimin e rëndë policia vuri në pranga edhe një 26-vjeçar, Edison Arazi i cili dyshohet se ka dijeni për ngjarjen, ndërsa gjatë kontrollit në banesë u gjet kanabis. 

Endri Mustafa njihej si pjesëtar i grupit të Bilalajve në Shkodër. Në familjet Lici dhe Bilali janë kryer një sërë vrasjesh.  Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit.  Në mars 2019 u vranë në derë të shtëpisë Brahim dhe Astrit Bilali. Për krimin e dyfishtë u shpall në kërkim Ibrahim Lici por vetëm në prill të këtij viti u hoq nga kërkimi për mungesë provash. Astrit Bilali është babai i Astmer Bilalit, ish kampionit të boksit, që i shpëtoi një atentati në vitin 2018 kur në resortin e hipizmit u vra mbi kalë shoku i tij, biznesmeni Arjan Ferracaku.