U ekzekutua në hyrje të pallatit, familja e Artan Cukut i kërkon shtetit dëmshpërblim 1 milion euro

5 Shkurt 2021, 13:06 | Përditesimi i fundit: 2021-02-05 14:55:16

Familjarët e ish komisarit Artan Cukut kanë kërkuar dëmshpërblim 1 milionë euro ndaj Ministrisë së Brendshme për humbjen e familjarit të tyre si dëmshpërblim monetar dhe moral. Dëmi shëndetësor dhe dëmi ekonomik qe i ka ardhur familjes nga humba e jete së kryefamiljarit të cilët kanë dërguar padi në Gjykatën Administrative, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 8 shkurt. Ekspertët e caktuar nga Gjykata Administrative për përcaktimin e dëmit që i është shkaktuar familjarëve të Artan Cukut kanë dalë në konkluzionin se ata duhet të marrin shumë prej 130 mln lekë të rinj ose 1 milion euro.

Ish-kryekomisari Artan Cuku u ekzekutua me armë në hyrje të shtëpisë pranë Liqenit Artificial mbi tre vite më parë më 8 Prill të 2017. Familjarët e Cukut kanë dorëzuar një padi në gjykatën Administrative të Tiranës kundër ministrisë së Brendshme dhe policisë së shtetit duke u kërkuar dëmshpërblim monetar edhe moral, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 8 shkurt 2021. 

Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se shkak i vrasjes së ish-komisar Artan Cukut është hakmarrja, pasi në kohën që ai mbante postin e drejtorit të policisë Vlorë, rihapi një vrasje të bujshme në këtë qark dhe vuri në pranga vrasësin Bledar Jambelli, i cili çuditërisht u lirua më pas nga gjykata. 

Artan Cuku është shpallur "Dëshmor i Atdheut", titull që iu dorëzua bashkëshortes së tij nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.