U kthye në atdhe, SPAK do marrë në pyetje Floresha Rashën / Ballafaqim me të dënuarin për terrorizëm

28 Tetor 2020, 12:48 | Përditesimi i fundit: 2020-10-28 14:20:44

TIRANË-  Pas kthimit prej Sirisë një ditë më parë, SPAK do të marrë në pyetje Floresha Rashën. Përmes marrjes në pyetje Prokuroria e Posaçme do të verifikoj udhëtimin e tyre nga Shqipëria në drejtim të Sirisë dhe në drejtim të destinacionit final në Siri.

Report tv mëson se SPAK pritet të pyes për rekrutuesit, financuesit dhe kush kanë qenë njerëzit që i kanë kaluar ata nga Shqipëria, në Turqi, me destinacion final Sirinë.

Marrja në pyetje pritet të ndodh sapo gjendja shëndetësore e Floresha Rashës të jetë e qëndrueshme, kjo sepse ajo është plagosur gjatë qëndrimit në Siri, por edhe kur gjendja e saj mendore të jetë stabël, për shkak të traumës që ka kaluar.  Nga sa bëhet e ditur, ajo pritet të ketë ballafaqim edhe me të dënuar si rekrutues për luftëtarë të ISIS në vendin tonë mes tyre edhe imami i vetëshpallur Genci Balla, i cili aktualisht është vendosur në regjimin “41-bis”

Një ditë më parë Kryeministri Edi Rama deklaroi se kush ka kryer krim do të përballet me drejtësinë me përgjegjësi personale. 

Floresha Rasha është një nga të riatdhesuarat nga Siri, së bashku me 3 fëmijët e saj, Amar, Emel e Hatixhe. Ajo iku në Siri së bashku me bashkëshortin e saj, Diamant Rasha i cili vra në dhjetor të 2013 me snajper gjatë luftimeve. Familja Rasha kishte dy fëmijë, Amar dhe vajzën e cila gjithashtu iu vra në kampin famëkeq. Pasi burri vdiq në përleshje, Floresha shumë shpejt u martua me një vendas sirian, që sipas gjyshit të Amar Rashës, Shabanit ai ishte terrorist. Megjithatë ajo solli në jetë me të dy vajza, Emel dhe Hatixhe, të cilat bashkë me Amar, u rikthyen nga Al Hol në Shqipëri.