Veliaj flet për marrëdhënien me Ramën: E njoh shumë mirë, është njeriu i fortë që na duhet sot

6 Prill 2021, 23:42 | Përditesimi i fundit: 2021-04-06 23:52:01

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ftuar sot në emisionin “Repolitix” në “Report TV”, foli edhe për marrëdhënien me kryeministrin Edi Rama, ndërsa tha se bashkëpunimi mes tyre është forcuar edhe më tej.

Ai u shpreh se e njeh shumë mirë kryeministrin Edi Rama, ndërsa theksoi me bindje se është pikërisht ai njeriu i fortë që i duhet vendit.

“Unë e njoh shumë mirë Edi Ramën. Kur e shoh që shkon te ata djemtë në spital pas tërmetit, nuk e njoha atë ditë dhembshurinë e tij, e njoha kur pati djalin e vet sëmurë në spital, e njoh nga raporti që ka me nënë e vet dhe s i ndjeshëm është kur sheh një të moshuar që është sëmurë dhe rrezikon jetën. Disa njerëz e kanë zellin me hope dhe pastaj i lodh, por ai ka të njëjtin zell, e njoh shumë mirë. Një pjesë e urrejtjes që merr Edi Rama është xhelozi e pastër nga njerëz që e shohin se dikush që punon fort ecën përpara. Edi Rama është ai që na duhet sot, një njeri i fortë jo një qullac, një njeri që nuk e voton as gruaja e vet, një gjumash që i ngec sahati.  Bjerini rrotull sa të duash, na duhet Edi Rama”, tha Veliaj.