Veliaj inspekton Terminalin Lindor të Tiranës: Kemi vendosur standardin e një stacioni modern udhëtarësh! Së shpejti nis puna për terminalin verior

24 Korrik 2022, 12:35

Studentët dhe qytetarët, të cilët udhëtojnë nga lindja drejt Tiranës dhe anasjellas, nuk do të presin me orë të tëra për të marrë autobusin. Terminali Lindor i autobusëve qytetas dhe ndërqytetas në kryeqytet pritet të jetë gati në fund të shtatorit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi ecurinë e punës në stacionin e ri, i konceptuar si një pikë lidhje ndërmjet transportit urban dhe transportit ndërqytetas dhe atij ndërkombëtar, për të sjellë një shërbim më të mirë për qytetarët dhe lehtësim të trafikut.