Veliaj: Krenar që iu kemi shërbyer familjeve të Kavajës, e mbajmë kokën lart dhe fitojmë betejën e ardhshme me sukses

5 Mars 2023, 15:48

Në prag të festave të 7 dhe 8 marsit, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi edhe një takim me gratë dhe vajzat e Kavajës.

Së bashku me kryetarin e kësaj bashkie, Redjan Krali dhe deputetin e PS, Etjen Xhafaj, Veliaj u shpreh se Kavaja prej kohësh e ka kuptuar që bastioni i vetëm është familja dhe jo partia.

“Kavaja nuk është bastion partish. Kavaja është një bastion zemrash, është një bastion idealesh, është një bastion dashurie, një bastion mbarësie dhe mirësie. Kjo do të thotë që, në qoftë se kemi kuptuar një gjë nga kjo punë, është se partia kryesore nuk është as PS, as PD. Partia kryesore është familja jote. Të gjitha partitë e tjera vihen në garë që t’i shërbejnë familjes tënde dhe në qoftë se me Redi Kralin këtu në Kavajë, me Edi Ramën në Tiranë, në krye të gjithë Shqipërisë, dhe me gjithë skuadrën tonë, i kemi shërbyer familjeve të Kavajës, atëherë meritojmë ta mbajmë kokën lart e të fitojmë edhe betejën e ardhshme me sukses këtu në Kavajë,” deklaroi Veliaj.