MIRDITE- Mikel (Gjovalin) Alia i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen e shokut të tij të fëmijërisë, Eri Zefit 34-vjeçarit që u gjet i vrarë në një kanal në Zall Xhuxhë është vetëdorëzuar në polici. Mësohet se ai ka deklaruar para policisë se nuk e ka nxjerrë në pritë Eri Zefin por ata kanë qenë duke udhëtuar së bashku, kur janë sulmuar nga disa grabitës së të cilët kanë tentuar ta vrasin edhe atë.
"Kam qenë duke udhëtuar me Eri Zefin, por nuk e kam nxjerrë në prite për ta ekzekutuar.Kanë dalë për të na grabitur dhe kanë dashur të më vrasin dhe mua", mësohet të jetë shprehur Alia.
Sipas policisë, Alia është vetëdorëzuar në polici pas negociimit me familjarët e tij.
Alia ishte shok fëmijërie me viktimën por hetimet kanë nxjerrë se ka qenë pikërisht ai që ka nxjerrë në pritë 34-vjeçarin tek personat që e ekzekutuan. Ky i fundit prej muajit shkurt 2019 kishte reduktuar lëvizjet e tij dhe frekuentimin e personave të ndryshëm, pasi i ruhej një gjakmarrje të mundshme. Kjo pasi, Eri Zefi është vëllai i Ndue Zefit, ky i fundit në shkurt të këtij viti ka vrarë fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca, pas një sherri banal.
Si pasojë e kësaj vrasje, Eri Zefi, i ndruhej një hakmarrje të mundshme dhe për këtë ai kishte marrë kërcënime të njëpasnjëshme. Personat që e doni të vdekur Eri Zefin kanë paguar shokun e ngushtë të Eri Zefit, Mikel Alia, me qëllim që ky i fundit ta nxirrte nga shtëpia Zefin dhe t'ia çonte në pritë dy autorëve, që ishin caktuar për të bërë vrasjen.