Vlora në flakë prej 10 ditësh, zv.ministrja e Mbrojtjes Bici e pranon: Helikopterët janë në remont! Zjarret të ishin parandaluar nga pushteti vendor

31 Korrik 2021, 20:23 | Përditesimi: 31 Korrik 2021, 20:23

Në pikun e sezonit të zjarreve për shkak të thatësirave dhe temperaturave të larta dhe në një kohë kur Vlora prej 10 ditësh po digjet nga zjarret, helikopterët që mundësojnë ndërhyrjen nga ajri për shuarjen e flakëve janë dërguar për remont. Atëherë kur helikopterët duhen pikërisht për shuarjen e flakëve sidomos në terrene të vështira, ata nuk janë të disponueshëm duke lënë plotësisht zbuluar nevojat për ndërhyrje. Zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici, e pranoi se për momentin nuk ka asnjë helikopter në dispozicion, duke këmbëngulur se nuk ka qenë i nevojshëm përdorimi i tyre, pasi nuk kemi të bëjmë me një situatë emergjence, ndërkohë prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj kërkoi ndërhyrjen nga ajri për të "frenuar" flakët.

Kjo gjë ka bërë që prej 10 ditësh disa vatra zjarri të aktivizohen në Karaburun, Tragjasë, Radhimë, Dukat, fshatin Xhyherinë, ku flakët kanë përpirë gjithçka që u ka dalë para duke i shkaktuar një dëm të madh mjedisor.

LR/Shqiptarja.com