Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, nën drejtimin e Drejtorit Elidon Çela, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ka ndërmarrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe qetësisë publike.
Gjatë mbrëmjes së sotme, në hyrje dhe dalje të qytetit të Vlorës, forcat e rendit kanë zhvilluar kontrolle të befasishme, me fokus në mjetet me xhama të zinj, personat në kërkim dhe individët që dyshohet se lëvizin me armë pa leje.
Sipas burimeve zyrtare, deri më tani janë shoqëruar disa persona dhe janë vendosur masa administrative për drejtues mjetesh që janë kapur nën efektin e alkoolit ose pa dokumentacionin e nevojshëm.
Operacioni vijon me qëllim forcimin e sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme në qytet.













