Votime më shumë se një herë? KQZ kryqëzon të dhënat: 2 raste në Berat dhe 2 në Gjirokastër

17 Maj 2021, 17:35

Pas kërkesës nga Komisioni i Sanksioneve dhe Ankesave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë kryqëzimin e të dhënave të pajisjes PEI.  Sipas rezultateve të dala nga kryqëzimi, KQZ njofton se janë 57 raste të dyshimta në Berat, mes të cilave 2 raste kur 2 persona janë shfaqur në 2 QV të ndryshme. Në Berat 19 persona kanë dhënë shenjën e gishtit si nënshkrim biometrik për 53 zgjedhës.

Por vetë Celibashi ka sqaruar se jo në çdo rast vendosja e gishtit më shumë se një herë përbën votim, pasi mund të ketë raste kur komisioneri ka vendosur gishtin për të drejtuar votuesin se si të bënte identifikimin përmes shenjës së gishtit. Ndërkohë që 74 janë rastet e dyshimta për në Qarkun e Gjirokastrës: 2 raste të dyshimta ku 2 persona janë paraqitur në 2 QV të ndryshme dhe 12 persona kanë dhënë shenjën e gishtit si nënshkrim biometrik për 70 zgjedhës.

Jo domosdoshmërish këto raste tregojnë se janë raste të votimit të dyfishtë, pasi shumica e të dhënave të gishtave mund të jetë vendosur disa herë nga i njëjti person pasi pajisja nuk e ka kapur për herë të parë. Do të jetë në dorën e KAS nëse këto të dhëna do të përbëjnë argument për pranimin e kërkesës ankimore të LSI dhe PD për rivotim në qarkun e Beratit dhe Gjirokastrës apo nëse do i rrëzojë kërkesat e tyre.