Vrasja e Ardian Nikulajt në Shëngjin, kamerat filmuan makinën ‘Land Rover Deefender’ që dyshohet se mori autorin bashkë me motorin e tij

23 Prill 2023, 22:55

Në këto pamje, të siguruara nga Report Tv të fiksuara nga kamerat e sigurisë, duket një makinë "Land Rover deefender" me targa zvicerane e cila është filmuar në fshatin Kukel në Shkodër, e cila dyshohet se ndihmoi të arratisej nga vendi i ngjarjes vrasësin e Ardian Nikulajt. E gjithë policia e Shkodrës është vënë më lëvizje për të siguruar prova të vlefshme me qëllim gjetjen e kësaj makine. Po ashtu po verifikohet nëse para ngjarjes është fiksuar në zonën e Shëngjinit. Biznesmeni Ardian Nikulaj u vra në Shëngjin më 19 prill 2023 në lokalin e tij.

Pas vrasjes duket se autori  është larguar në drejtim të fshatit Kukel ku e kanë kapur disa kamera sigurie. Pikërisht në këtë fshat, në rrugën dytësore Kukel-Bushat në  Bashkinë e Vaut të Dejës është parë edhe kjo makinë Land Rover Defender, në të cilën dyshohet se autori ka hipur së bashku me motorin dhe u largua në drejtim të Velipojës. Gjithçka mendohet se ka ndodhur rreth 50 minuta pas ngjarjes në një rrugë pa kamera sigurie, pasi autorët duket se janë treguar të kujdesshëm. Report Tv raportoi që në minutat e para pas vrasjes se autori ishte ndihmuar nga një makinë për të humbur gjurmët. Policia e Shkodrës është vënë në lëvizje për të siguruar prova të vlefshme me qëllim gjetjen e kësaj makine. Po ashtu po verifikohet nëse edhe para ngjarjes është fiksuar në zonën e Shëngjinit ky mjet në qarkullim.