Vrasja e ish-policit, autorët instaluan kamera sigurie në zonë për të vëzhguar lëvizjet e Bilalit

1 Shkurt 2019, 11:35 | Përditesimi i fundit: 2019-02-01 15:32:39

TIRANE-Policia mori ditën e djeshme në pyetje katër anëtarë të familjes Xhabafti në lidhje me vrasjen e Arben Bilalit. Burime për Report Tv nga grupi hetimor pohuan se pjesëtarët e familjes Xhabafti kanë mohuar që të kenë lidhje me ngjarjen. 'Nuk kemi lidhje, nuk e kemi porositur ne. I kemi mbyllur konfliktet' mësohet se kanë deklaruar ndër të tjera anëtarët e familjes Xhabafti para grupit hetimor që po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Po sipas të njëjtave burime për Report Tv nga grupi hetimor, autorët dyshohet se kishin vendosur një kamer sigurie në zonën pranë banesës për të ruajtur ish-policin Bilali duke kontrolluar lëvizjet e tij.  

Arben Bilali ka pasur konflikte në të kaluarën me familjen Xhabafti në Tiranë, përplasje të cilat datojnë që nga 1994-1997 dhe janë mbartur përgjatë disa viteve, duke prodhuar edhe viktima (lexo ketu). Atentatet ndaj familjes Bilali datojnë që në 1997 ku u vra Bujar Bilali në Tiranë. Në maj të vitit 2010, tentohet të vritet Arben Bilali. Ndërsa disa muaj më pas ekzekutohet vëllai i tij Leonard Bilali i sapo kthyer nga Italia. 9 vite më vonë, krimi godet sërish familjen Bilali duke ekzekutuar në atentat pranë banesës, Arben Bilalin, ish-oficer policie (lexo këtu).

Report Tv zbardhi ditën e djeshme detaje të reja nga vrasja e Bilalit para dy ditësh në Tiranë. Ish-polici Arben Bilali u ndoq për më shumë se 10 minuta nga atentatorët para se të vritej para shtëpisë së tij në Selitë (lexo këtu). Burime nga Policia e Tiranës thanë për Report TV se Arben Bilali bashkë me një shokun e tij kanë qenë në zonën e shkollës 'Vasil Shanto' me një makinë Golf 4. Pikërisht në këtë vend kamerat e sigurisë kanë filmuar një makinë Mercedez Benz që po ndiqte Arben Bilalin.