Një atentat i mirëorganizuar i mori jetën mbrëmjen e kaluar biznesmenit Eduard Reçi në Tiranë. Gazetari Sokol Dema i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv dha detaje nga ngjarje, duke thënë se ndërtuesi u vra teksa po futej në banesën e tij përballë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.
Një plumb në kokë i mori jetën 52-vjeçarit, ndërsa gazetari Dema thotë se ka dyshime që qitësi të ketë qenë në ndonjë kat të sipërm të një pallati ngjitur me pallatin ku ndërtuesi kishte banesën.
“Ka qenë momenti që po shkonte në banesë. Nga ajo që thonë burimet, plumbin e ka në pjesën e pasme të veshit të djathtë, çka krijon përshtypjen që qitësi mund të ketë qenë ngjitur me pallatin e tij. Nga aty mund të jetë qëlluar, por kjo ende nuk është vërtetuar. Është një atentat i mirëorganizuar duke pasur parasysh mënyrën se si autori është larguar pa lënë asnjë shenjë. Një atentat i mirëorganizuar dhe po haset vështirësi për të çuar drejt një identifikimi. Duket që kemi të bëjmë me njerëz profesionistë që e kanë kryer”, tha gazetari Dema në Report Tv.