Vrau motrën dhe kunatin në 1997 në Rubik, ekstradohet nga Italia 56 vjeçari i dënuar me burgim të përjetshëm

16 Janar, 09:18 | Përditesimi i fundit: 2025-01-16 12:18:04

Operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Verdikti”, i finalizuar në prill 2024, në Itali për kapjen e këtij shtetasi u zhvillua falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të shkëmbyer  nga Interpol Tirana me Interpol Romën, Policinë e Materas, Itali, me koordinimin e Zyrës së Interforcës Italiane, Zyrës së Ekspertëve Italianë të Sigurisë, në Shqipëri, dhe Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor - Divizioni i 2-të, Romë.

Si rezultat i koordinimit të punës ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre në Romë, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit Gjovalin Lesi, 56 vjeç, i lindur në Lezhë.

Në vitin 1998, Gjykata e Mirditës e ka dënuar këtë shtetas, me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Në vitin 1997, shtetasi Gjovalin Lesi, pas një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Rrasfik, Rubik, vrau me armë zjarri kallashnikov, motrën dhe bashkëshortin e saj.