Zef Brozi: A po e mbron SPAK Sali Berishën për Aktin Terrorist Shtetëror të 21 Janarit 2011?

10 Janar, 13:35

Përgjigjen e kësaj pyetje duhet ta japë SPAK jo me fjalë e deklarata por me veprime konkrete pa vonesa të mëtejshme duke vënë para drejtësisë ish kryeministrin e asaj dite të përgjakur. SPAK mund dhe duhet të bëjë që 21 Janari 2025 të jetë krejt ndryshe nga 21 Janarët e mëparshëm.

Unë dhe shumica e shqiptarëve e mbështesim SPAK dhe Gjykatën e Posaçme dhe i konsiderojmë ato si institucione që po na japin shpresë se pushtetarët e lartë do të përgjigjen para drejtësisë për krimet dhe korrupsionin e tyre. Prandaj edhe unë pres shumë më tepër nga SPAK dhe gjykatat, sidomos për krimet ku pushteti ka vrarë ose është implikuar në vrasje dhe akte terroriste sikurse ndodhi me 21 Janarin, Gërdecin, 1997-ën, grushtin e shtetit në 1998-ën, tentativën për të sulmuar Ambasadën Amerikane (sipas denoncimit të bodigardit të Sali Berishës), për akuzat e familjes Haklaj, etj.

Të harrosh, të mbulosh, të mbrosh dhe mosndëshkosh krimet makabre të Sali Berishës do të thotë të inkurajosh pushtetarët dhe politikanët e cdo kohe të bëjnë të njëjtën gjë, do të thotë që qytetarët e thjeshtë e të ndershëm të Shqipërisë të kenë frikë pushtetin dhe ta pranojnë atë edhe kur pushteti i vret, do të thotë të vrasësh shpresën dhe demokracinë që tentohet të ndërtohet e forcohet. Do të thotë të pengosh e sabotosh aspiratat e shqiptarëve për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.