Zgjedhjet në PD, deri në 13:00 votojnë 31.3 % e anëtarëve! Nishani: Maskaradë elektorale! Berisha: I qëndroj deklaratës për t’u rikthyer në krye të partisë

13 Qershor 2021, 15:47

Prej orës 08:00 të mëngjesit të sotëm 75 mijë anëtarë të Partisë Demokratike kanë nisur t'i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesin e tyre të ri ku në garë janë Lulzim Bashës, Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.

I pari nga kandidatët në garë që ka votuar ishte Lulzim Basha, i cili ishte i shoqëruar nga Dhurata Çupi dhe Jorida Tabaku. Më herët kanë votuar dhe sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, Besnik Mustafaj dhe Sait Dollapi. Votën e kanë hedhur edhe kandidatët e tjerë Edith Harxhi, Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli. Edhe lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha ka votuar dhe ndërsa bëri thirrje për pjesëmarrje në proces i është pyetur nga gazetarët nëse i qëndron deklaratës për rikthimin në krye të PD, Berisha tha se “është konsistent në deklaratat e tij”. Një deklaratë të tillë e ka bërë edhe më parë.