Zgjedhjet për kryetarin e ri të PD, Halit Valteri: S'ka garë, kutitë do të mbushen si në 2017

3 Qershor 2021, 21:46

Gara në Partinë Demokratike është farsë dhe kutitë do të mbushen në favor të kreut aktual Lulzim Bashës. Kështu ka deklaruar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv, Halit Valteri ish-eksponent i rëndësishëm në Partinë Demokratike, dhe njohës shumë i mirë i procesit të zgjedhjeve brenda kësaj partia. Kjo pasi në vitin 2017, Valteri thotë se ka punuar gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës, kundër Eduard Selamit, ku tha se Basha ka të gjithë numëruesit, vëzhguesit dhe të vetmen garë që mund të fitojë është kjo brenda PD.

‘Njoh shumë mirë procesin në PD. Të vetmen gjë që Lulzim Basha mund të fitojë është të mund rivalët brenda PD-së se i ka vetë numëruesit, vet vëzhguesit. Nuk kanë numërues. Tre herë Rama kryeministër tre herë Basha kryetar PD-je. Këtu ka kandidatë fallso. Njëri nga këta do të jetë nënkryetar i PD-së, ai që do të marrë më shumë vota, Agron Shehaj.

Është futur për të legjitimuar garën. I vetmi që nuk do ta lejë garën është Agron Shehaj. Ta zëmë se do të votojnë 300 veta. 100 vota Agron Shehaj, 50 Bardh Kadilli, 100 vota Edith Harxhi, 150 do t’i marrë, Basha, dhe nëse nuk i gjen, do të mbushen kutitë. Agron Shehaj do të marrë ato vota që janë njerëzit që nuk e duan Bashën në krye të PD-së.

Do të mbushen kutitë. Eduard Selami nuk futej dot në derë të PD. Nuk ndryshon asgjë fizionomia e PD nga PPSH. Ose je me ne, ose je armik. Nëse nuk mendon si oborrtarët, si ato që ka bërë kuanti në kat të dytë nuk ka demokraci. Ai do ta çoj PD në 20 mandate. Nuk ka garë, nuk ka proces, është farsë, kutitë do të mbushen.’- tha Valteri.