At Antonio Bellusci: Kërkimet për kulturën dhe gjuhën arbëreshe nga Italia në Greqi

At Antonio Bellusci: Kërkimet për kulturën dhe gjuhën arbëreshe nga Italia në Greqi

At Antonio Bellusci

“Ti moj udha e katundit, që të nxjerr në shesh.

Edhe ai të kujton se ti je arbëresh.

U linde ti arbëresh në ‘jetër tokë.....”

Kjo është një këngë arbëreshe. Kjo është edhe brenga më e madhe e At Antonio Bellusci-t. Jemi takuar me të pas një konference në Muzeun Kombëtar, në mes të Sheshit “Skënderbej” mbrëmjen e së enjtes në Tiranë.

Bisedojmë me Atin për histori e ngjarje të jetës së arbëreshëve të shpërngulur 5 shekuj më parë në Itali, vëllezërve tanë, “gjaku ynë i shprishur” siç e quajnë ata veten. Dhe duke folur e kujtuar mallin e dhimbjen e pashëruar, aty kundruall statujës së Skënderbeut, At Antonio Bellushi nisi të kujtojë këto vargje të një kënge arbëreshe. Këndojmë të gjithë që janë me Të, arkeologu Neritan Ceka me bashkëshorten, Brizida Gjikondi dhe një mik nga Kosova. Kënga më rrëmbeu dhe mua, ndërsa prisja për të bërë një intervistë për “Shqiptaraja.com”. Më të bukur fillim për intervistën, nuk mund të gjeja se ato këngë malli të arbëreshëve të Italisë.

Të tjera këngë me rrahje të zemrës së arbëreshëve, që u shpërngulën nga trojet shqiptare rreth 550 vjet më parë, do të na kujtonte aty për aty At Antonio Bellusci. Ati shpirtëror i arbëreshëve dhe mbledhësi i kulturës arbërore-arvanite në Itali e Greqi, ku sfidoi pengesat e qeverisë greke, duke intervistuar vetëm në shqip, ka pasuruar kulturën shqiptare duke i shkruar këto kërkime në librat: “Kërkime dhe studime ndër arbëroret të Ellades” dhe në Arbërorët-Arvanitë një popull i padukshëm. E mandej rreth 12 libra të tjerë të Tijat janë hartuar me këto thesare. At Belushin kjo punë e mbajti gjithmonë të lidhur me popullin dhe me kulturën e tij.

Si rrallëkush ai ka shkuar në shumë troje ku jetojnë shqiptarë. Dhe ka shumë gjëra për të thënë. Nuk ngopesh duke e dëgjuar. Në këtë intervistë, ai rrëfen shqetësimet e shpirtit të Arbrit. Dhe çdo gjë që e rrëfen e shpreh me një emocion të vërtetë. Shpirti dhe zemra e tij janë njësuar tashmë me kulturën e gjuhën e arbëreshëve, kudo që ndodhen, jo vetëm në Itali, por edhe në Greqi, Kroaci e më gjerë.

Intervista

At, mund të vazhdoni të na tregoni një tjetër këngë. Le ta nisim me këngë arbërore këtë intervistë.

-(Nis këndon)

“Petkat dhe të mirat tona

Na i lamë tek Korona

Krishtin vetë kemi me ne

Oj e bukura More.

Thellë t’o pjas me lot në sy

Oj More, oj Arbëri,

(Këndon dhe një këngë tjetër)

Dallandyshe leze-lezë

Kur të vish ti ‘jetër herë

Si të shkosh ti tek Korona

Më nuk gjën shtëpitë tona

Më nuk gjën trima hajarë

Por një qen që qoftë i vrarë”.

Me qenin kuptohet që është turku që pushtoi tokat tona.

Këtë herë ju ka sjellë në Tiranë 550-vjetori i Skënderbeut. Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri?

-Në ’72-shin kam ardhur këtu. Isha i ftuar nga Universiteti i Tiranës për Kongresin e Drejtshkrimit. Po unë nuk merrja pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit. Ardhja ime ishte  për ilirët dhe atje në atë kuvend nga arbëreshët isha vetëm unë.

Po për Kongresin e Drejtshkrimit kush erdhi nga arbëreshët e Italisë në ‘72-shin?

-Për drejtshkrimin ishte Josif Giusepe Ferrari. Atje ishin dhe mjaft shkrimtarë nga Diaspora. Kuvendi i Ilirëve ishte organizuar nga Eqrem Çabej. Unë paraqita studimin për këngët më të vjetra arbëreshe të punës në këtë kuvend. Shteti shqiptar në atë kohë kishte krijuar lidhje të mira me arbëreshët. Ne japim libra dhe i merrnin për kulturën tonë shqiptare. Dhe studimin tim unë ia dhurova Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë. Kishim lidhje zyrtare në atë kohë me Katedrën e Gjuhës Shqipe në Palermo, Bari, Romë, Cosenza, që është bërë një punë e madhe. Edhe sot qeveria shqiptare interesohet, por këto katedra janë bosh, nuk bëjnë asgjë për të mbledhur në Tiranë njerëzit që punojnë në terren, që mbledhin fjalë, histori e këngë me katundet arbëreshe si bëhej në atë kohë. Matteo Mandala e Francesco Altimari e kanë katedrën e gjuhës shqipe, por e kanë bosh, pa njerëz.

Pse nuk marrin njerëz që të punojnë për këto katedra atje. Ndër katundet arbëreshe ka pak revista ose dhe shkrimtarë që botojnë veprat me mundimin e tyre, e bëjnë këtë se veprat e tyre lidhen me kulturën popullore, me këngët popullore, me muzikën arbëreshe, me shpirtin arbëresh. Për ta kjo është e domosdoshme, por  nuk ndihmohen nga Ambasada Shqiptare në Romë. Ambasada për këtë punë është, jo të sjellin shqiptarë që vijnë në Kalabri e nuk merren me këto gjëra, po bëjnë “Hajde të vemi në Kalabri, hamë pimë e hedhin valle e kaq”. Ambasada dhe katedra e institucionet duhet të dërgojnë njerëz, për studime e kërkime.

Ju më thatë ishit i vetmi prift që ju shihnin në Shqipërinë e diktaturës në ’72-shin, kohë që feja ishte e ndaluar në Shqipëri, si ju lejuan që të vinit në atë kohë?

-Unë e dija se feja në Shqipëri u ndalua dhe se nga këto ndalime vuajtën vëllezërit tanë shqiptarë, ortodoksë e myslimanë, e pësoi dhe kultura e trashëguar këtu. Po për mua ishte një gjë e rrallë që vija në Shqipëri e të shihnin të veshur si prift, dhe unë isha i vetmi prift që më shikonin në atë kohë në atë Kuvend.

Po si u bë mundur, sepse lufta ndaj fesë ishte shumë e ashpër gjatë diktaturës, pse duhet t’ju kenë toleruar?

-Në atë kohë lidhjet e Shqipërisë me arbëreshët nuk ishin ndërprerë. Ishin të kontrolluara, por nuk ishin ndërprerë. Nga Shqipëria vinin te ne për kërkime për gjuhën, për historinë, këngët vallet, traditat, gatimet. Po të vija unë këtu, nuk ishte shumë e lehtë, por më ndihmoi një shqiptar , Muhamet Hila që ishte për kulturën në Ambasadën Shqiptare në Romë. Ai vinte tek katundet e arbëreshëve, na takonte dhe njihej me zakonet tona e kërkesat tona, e na lidhte me studiuesit shqiptarë. Mua leja m’u dha vetëm pasi kisha dy vjet që bëja kërkesë. Ndaj e kujtoj ndihmën e tij. Hila ishte mysliman, por ne shqiptarët jemi vëllezër e kemi një zakon, e mbajmë besën. I thashë unë të ma jap besën që të më ndihmonte të vija në Shqipëri, por më lejuan  me shumë vështirësi, pas dy vjetëve pritje, kur mendoja se s’do të vija dot kurrë, atëherë më lejuan. Në këtë kuvend kishin ardhur edhe të tjerë shqiptarë nga Diasporat. Kjo ishte ardhja ime e parë.

Në ‘72-shin kur ju erdhët në Tiranë, edhe në një kohë vendimesh me rëndësi për bazat e gjuhës letrare shqipe. Ka disa mendime që letrarja nuk është e drejtë të mësohet për fëmijët arbëreshë dhe që atë duhet të mësojnë gjuhën e vjetër. Cili është mendimi juaj?

-Dëgjo. Se ky problem më shqetëson shumë kur flitet për dialektet. Gjuha shqipe ka shumë dialekte, por ato shqipe janë, rrënja e fjalës është shqipe. Ne themi në arbërisht: U jam në shpi e ha buk. Në gjuhën letrare shkruhet: Unë jam në shtëpi dhe ha bukë. Shqip është dhe kjo, por është shqipe me rregulla. Një gjuhë e shkruar duhet të shkruhet me rregulla. Edhe në Itali katundet arbëreshe përdorin dialekte të ndryshme. Ndryshe është dialekti i fshatit tim Frashineto. Ndryshe është i atyre që kanë ardhur nga Himara. Ndryshe është në Kastrati, ndryshe në Kllimendi, e ndryshe në Panariti. Arbëreshët e mi në Frashineto janë me origjinë nga Frashëri, arbëreshë  ortodoksë, të ritualit bizantin, të gjithë arbëreshët janë ortodoksë dhe ruajtën ritualin ortodoks në Itali, ku vajtën, atje praktikohej rituali latin, katolicizmi. Ne nuk e ndryshuam  fenë, se po të ndryshonim fenë do të ndryshonim kulturën dhe gjuhën. Ka pasur edhe arbëreshë që kanë praktikuar ritualin roman, por ata që  praktikuan e kanë humbur identitetin kulturor e gjuhën. E dinë veten që janë shqiptarë me origjinë, por jetojnë sipas kulturës italiane. 

Ne arbëreshëve na bashkon vëllazërimi, mbiemrat, besimi, gjuha dhe kostumet tona. Gjuha që kemi marrë nga mëmat e dadat tona që na flisnin arbërisht është e folur gojore, se në shkolla mësohej gjuha italiane. Dialekte janë gjuha shtëpiake, ndërsa gjuha e shkollës, e studimit duhet bërë me rregulla. Duhet mësuar te shkolla gjuha shqipe, se tani po rrezikon të zhduket. Katundet arbëreshe po braktisen. Të rinjtë nuk flasim më shqip, se ata nuk shkojnë tek shkolla për të mësuar shqip. Kushtetuta italiane e lejon shqipen, por nuk është arsimi i detyrueshëm. Pozitive është që këta të rinj e gra e fëmijë nuk kanë braktisur kishën. Se gjërat rituale fetare janë të gjitha  në gjuhën shqipe. Meshat bëhen shqip, por dhe greqisht e italisht. Po nuk mund të mësohet mirë shqipja pa mësimin zyrtar të gjuhës amtare, pa shkuar në shkollë, e pa mësuar rregullat e alfabetin. Gjuha humbet, jo pse nuk e duan, por se prindërit qëndrojnë vetëm në katunde.

Ju keni bërë edhe shumë kërkime tek arvanitasit në Greqi. Kur shkove për herë të parë tek ata dhe çfarë ke zbuluar?

-Kam shkuar për herë të parë në vitin 1965 dhe kam vijuar deri në 2005-n kërkime. Çdo takim ish i jetuar me një gëzim të madh. Më pritën si vëllain e tyre. Të gjithë më donin e nderonin që unë si arbëresh, si gjaku i tyre po kërkoja këngët e historitë e tyre. Ata gëzonin se unë po i shpëtoja nga harresa ato pasuri shekullore. Ndjenjat e racës arbërore tek ata ishin të thella, por nuk e shprehnin dot. Kështu unë kam mbledhur zakonet e tyre dhe këngët në Krora në Greqi, që ka arbëror me rrënjë himarjote. Atje kamë takuar të tjerë vëllezër me gjak arbëror si Filip Jorgon, Andon Darën, Jani Buradan e Pananot Janin. Ata e vuajnë ruajtjen e identitetit, se ndryshe nga Greqia, Italia e njeh me kushtetutë komunitetin e arbëreshëve, ndërsa në Greqi nuk e pohojnë të vërtetën për komunitetin e arvanitasve. Qeveritarët grekë mohojnë pa asnjë logjike parimet e të drejtave të njeriut, kur ata ndalojnë edhe përvetësimin e gjuhës shqipe atje. Nuk kishte më të madh gëzim kur u takova arbërorët në katundet e tyre në Atikë, në Spata, në Markopulos, etj. Kam shkuar në 115 katunde arvanitase. Arbëreshë ne, arbëresh ata, të një gjaku jemi.

Po e vërteta është se janë 900 katunde që të gjitha krahinat e Greqisë. Edhe prej tyre emigruam në Itali. Aty takova vëllezër të gjakut tim me kulturë të lartë që më ndihmuan shumë: Metropoliti i Korinthit,  P.Karanikolas nga katundi i Argolidos, Vangjel Xhapa nga Elefsina, Aristidh Kola, e shumë të tjerë e që kanë luftuar për çështje të kulturës arbërore atje. Me mikun Aristidhi Kolljas kemi krijuar një lëvizje popullore arbërore-arbëreshe, duke organizuar udhëtime dhe vizita reciproke në katundet arbërorë në Atikë dhe arbëreshë në Kalabri. Arbëroret-arvanitas në Greqi janë gjithë ortodoks me ritualin si i kemi edhe me arbëreshët. Për kulturën tonë unë kam bërë shumë udhëtime, në Australi, në Kanada, në Greqi, në Evropë, kudo, për të vlerësuar gjendjen dhe situatën e arbëreshëve dhe emigrantëve shqiptarë ku do që janë, sepse kombi jonë janë rrënjët tona besimi ynë, gjuha jonë, zakonet, historitë tona. Gjithë kjo pasuri kulturore e shpirtërore krijon një Shqipëri etnike, ku çdo shqiptar është im vëlla.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e Gjykatave e Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Foden 'gjahtar', Manchester City mposht 0-4 Brighton dhe kërcënon Arsenalin

GOLAT/ Foden 'gjahtar', Manchester City mposht 0-4 Brighton dhe kërcënon Arsenalin