Audienca, pas denoncimit nga
Shqiptarja.com,  reagon AMA 

Audienca, pas denoncimit nga<br />Shqiptarja.com,  reagon AMA <br /><br>
Pas denoncimit nga Shqiptarja.com se si një kompani në nivel kioske përcjell të dhëna të pasakta përmes matjes së audiencës televizive pabaze, duke deformuar një treg shumëmilionësh të reklamave, reagoi dje Autoriteti i Mediave Audiovizive. Përmes një njoftimi, AMA thotë se do të organizojë më 20 shkurt me grupet e interesit një takim me qëllim konsultimin me të gjitha palët, që kanë ndikim në tregun mediatik, ose qe influencohen direkt ose indirekt nga zhvillimi i procesit të matjes së audiencës televizive në Shqipëri. Qëllimi këtij takimi, i pari në llojin e tij, sipas AMA-s ka të bëjë me shtjellimin e çështjeve të ndryshme për sigurimin e një procesi të besueshëm, të pavarur dhe transparent të matjes së audiencës televizive.

Disa javë më parë, përmes një investigimi, Shqiptarja.com tregoi se kompania shqiptare ''ABACUS'', qe shet ne treg raportet mbi matjen e audiences, realisht ka një kapital prej vetëm 800 eurosh, ka vetëm një të punësuar, zero investime në teknologji dhe deklaron të ardhura prej më pak se 10.000 eurosh në vit. Nxjerrja prej saj e raporteve periodike, ku paraqiten të dhëna krejtësisht të pabesueshme matjesh të shikimeve televizive, ka kontribuar në dëmtimin e interesave të operatorëve të ndryshëm, të pranishëm në këtë treg.

Në fokus të aktivitetit rregullator të AMA-s, matja e audiencës televizive është një aspekt mjaft i rëndësishëm për rregullimin e tregut audioviziv dhe bën pjesë në grupin e veprimtarive që AMA organizon, mbështet dhe promovon, në përputhje me dispozitat ligjore te ligjit 97/2013 “Për Mediat Audiovizive ne Republikën e Shqipërisë”, nenet 19 dhe 23. Por deri tani ky institucion nuk kishte ndërhyrë asnjëherë për të kërkuar që të vendosen rregulla të munguara ligjore në këtë sektor. Tani me ne fund duket qe situata po ndryshon.  

Në një njoftim të shpërndarë dje, duket se Autoriteti ka vendosur të lëvizë. Në tregjet ku janë të disponueshme të dhënat e shikueshmërisë së televizioneve, vlera, ose niveli i shikueshmërisë përcaktohet nga të dhënat e indikatorëve te vleresimit (rating) të audiencës. Në këtë mënyrë, të dhënat “rating” bëhen ‘monedha e përbashkët’, nëpërmjet së cilës, lojtarët në treg kanë mundësi të tarifojnë dhe të negociojnë për blerjen dhe shitjen e hapësirës publicitare në television, theksohet në njoftimin e AMA-s. “Por vetëm nëse këto të dhëna rating janë të besueshme dhe të sakta, atëherë, ato mund të shndërrohen në monedhën e përbashkët të tregtimit të hapësirës kohore publicitare në treg” nenvizon Autoriteti.

Një investigim i kryer nga Shqiptarja.com në muajin janar të këtij viti tregoi qartë mungesën e rregullave në këtë sektor strategjik, të braktisur në anarkinë më të plotë, që ka bërë të mundur që të krijohen shoqëri fantazma, të cilat spekulojnë, duke shitur raporte mbi audiencën televizive pa asnjë bazë dhe pa asnjë kontroll dhe duke dëmtuar kështu rëndë tregun e komunikimeve, për t’u pasuruar apo vetëm për t’u pajisur me një pushtet, që nuk do ta kishin arritur dot ndryshe. 
Sipas AMA, ndryshe nga situata aktuale, për të siguruar adoptimin dhe përdorimin e të dhënave e audiences nga të gjitha palët e interesuara, sistemi i matjes televizive duhet të jetë:

a) i besueshëm, ku, çdo element i procesit të mbledhjes, analizës dhe publikimit të këtyre lloj të dhënave të mund të verifikohet nëpërmjet sistemeve të paracaktuara kompjuterike, apo metodave të tjera;

b) i pavarur, atëherë, kur ofruesi i këtij shërbimi operon nga një pozicion tërësisht neutral, apo krejtësisht i paanshëm, dhe i gjithë-pranuar nga të gjithë lojtarët në treg;

c) transparent, ku, çdo element i sistemit është lehtësisht i kuptueshëm dhe i hapur, apo i arritshëm, nga auditimi i kualifikuar i të gjithë lojtarëve të interesuar për këto lloj të dhënash në treg.

Sipas AMA-s, pa ekzistencën e një sistemi të pavarur matjeje, si palë e tretë, i cili, adopton standardet më të larta të saktësisë dhe integritetit, tregu i televizioneve nuk do të mund të funksiononte në mënyrë të efektshme.

Nisur edhe nga denoncimi publik i bërë nga Shqiptarja.com AMA vendosi të shqyrtojë më me përgjegjësi rolin dhe detyrat e saj në këtë situatë. Kështu, institucioni organizon takimin informativ me praninë e palëve të interesuara për të koordinuar përpjekjet për të vendosur rregulla në tregun e transmetimeve televizive dhe atë publicitar të lidhur me të. Fjala është për një aspekt themelor, jo vetëm në rregullimin e konkurrencës së ndershme mes operatorëve televizive, por edhe në shpërndarjen e reklamës, që është pjesë përbërëse e një ekonomie moderne tregu.


ama
(Reagimi i AMA)

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

I dënuari në Itali me 10 vite burg, fshihej në Shqipëri! Arrestohet 29 vjeçari me 3 emra

I dënuari në Itali me 10 vite burg, fshihej në Shqipëri! Arrestohet 29 vjeçari me 3 emra