Tiranë- Biznesmeni i arrestuar në Greqi, Edmond Bego, vazhdon të mbajë ndezur debatin politik të dy partive kundërshtare në Tiranë. Selia blu dhe ajo rozë, shkëmbejnë disa herë në disa akuza për lidhje me Begon. Sot, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla doli sot në një konferencë të përbashkët me dy deputetë të Bundestagut, Josip Juratovic dhe Dr. Martin Roseman, por nuk iu shmang dot çështjes më të lakuar të ditës, arrestimi i biznesmenit Edmond Bego në Greqi. 

I gjendur përballë akuzave të opozitës se është ortaku i tij në biznes, Balla sqaroi sot çdo detaj për lidhjet me Edmond Begon. Ai u shpreh se e njeh familjarisht, por nuk di që ku personazh të ketë pasur ndonjëherë mburojë politike. Socialisti sfidoi edhe njëherë demokratët, që t’i drejtoheshin Prokurorisë për të gjitha akuzat e artikuluar në media, por edhe të tjera në lidhje me këtë çështje.

Lidhur me akuzat e gojëtarëve të PD do i përgjigjesha vetëm njërës. A ka qenë sundimi i ligjit i njëjtë edhe për këtë person, apo ka siguruar mburojë politike? Për ne dhe për mua personalisht sundimi i ligjit është dhe duhet të jetë i njëjte për të gjithë.  Personin në fjalë e njoh, njoh bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, nxënës shembullorë.

Ju them me garanci të plotë se kurrë nuk i është ofruar një mburojë e tillë politike dhe përgjigjen më të mirë e ka dhënë dje policia e shtetit. Ky skenar është thjesht një pjesë e Babales 3. Personi nuk ka qënë në kërkim. Pas verifikimit që zgjat 40 ditë, do të shohim nëse personi ka pasur ndonjëherë nevojë për mburojë politike.

I njëjti person nuk mund të kryejë të njëjtin dënim për një vepër që e ka kryer 10 vjet më parë. Nëse PD ka dyshime, të shkojë në prokurori të bëjë kallzim penal. E sfidoj PD-në që të çojë çështjen në prokurori. Siç edhe ndodh në Gjermani.

Taulant Balla

Pak orë më vonë, nga selia e demokratëve ishte nënkryetari Edi Paloka që akuzoi Ballën për ndikim dhe lidhje biznesi me Begon.

Kuvendi i fillon punimet më 3 shtator.I bëj apel opzitës që në seancën e parë të kishim mundësi të votonim edhe një herë ligjin e Magjistraturës.

Taulant Balla

I pyetur për përgjigjmet që i janë bërë deputetit socialist Jurgis Çyrbjes me antarin e një bande kriminale, Balla u shpreh se ky lajm qarkullon prej një viti.

Ju e dini më mirë se unë se ky lajm qarkullon prej një viti. Unë si kryetar i Grupit Parlamentar kam bërë verifikimet, kam marrë informacionet nga organet ligjzbatuese, deputeti në fjalë nuk ka në ngarkim të tij asnjë hetim apo procedim penal për çështjen në fjalë.

Taulant Balla

Ndër të tjera, Balla është shprehur se fokusi i bisedës me deputetët gjermanë ka qënë biseda për antarësimin e Shqipërisë në BE.

Fokusi i bisedës me deputetët kanë qënë bisedimet për antarësim. Informuam deputetët për procesin e ‘Screening’ që është bërë për muajt Korrik dhe Gusht. Gjithashtu duke qënë se ka shqiptarë që kanë fituar kontrata të rregullta pune, kërkuam që të shkurtohet procesi i marrjes së vizave.

Taulant Balla

Balla në konferencën për shtyp me deputetët gjermanë

Në fjalën e tij, deputeti gjerman, Josip Juratovic është shprehur se reformat e ndërmarra janë në rrugën e duhur.

Për ne është e rëndësishme që të konstatojmë elementë pozitivë në kuadër të anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Reforma e Vettingut ka është pozitive. Këto janë argumenta të rëndësishme që bindin Gjermaninë për zhvillime të rëndsishme. Unë dhe kolegu im do të largohemi me mesazhe pozitive.

Dje dhe sot kemi pasur mundësi të flasim me të rinj shqiptarë dhe di t’ju them se ëshë normale që të rinjtë ta shikojnë të ardhmen jashtë vendit të tyre. Do ta rishikojmë çështjen e kontratës së punës pasi është në interes të biznesit gjerman.

Si përfundim kam vetëm një lutje. Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë.

Josip Juratovic, deputeti gjerman

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:19
Balla pranoi njohjen me Begon, Paloka në konferencë: Përdori fëmijët si mburojë, pse gënjeu numri 2 i PS-së

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka në një konferencë për mediat nga selia blu, ripërsëriti akuzat në drejtim të deputetit socialist, Taulant Balla, për lidhje direkte me biznesmenin e arrestuar në Greqi, Edmond Bego.

Pak orë pasi Balla nga kryesia e Kuvendit pranoi njohjen me Begon, demokratët nuk janë bindur për lidhjen Balla-Bego. Paloka tha se Balla përdori fëmijët për mburojë politike, dhe pyeti sërish se çfarë e lidh deputetin e PS-së me Edmond Begon.

Pjesë nga deklarata e Palokës:

Njësoj si Saimir Tahiri disa muaj më parë, Taulant Balla nuk kurseu as djalin e tij, as fëmijët e mikut të tij trafikant ndërkombëtar droge për t’u dukur të dy si viktima në sytë e publikut.

Partia Demokratike hedh poshtë me neveri këtë përpjekje të turpshme të numrit dy të Partisë Socialiste, që përdor si mburojë pafajësinë e fëmijëve.

Sot, 3 ditë pas arrestimit nga autoritetet greke të trafikantit ndërkombëtar të drogës, Taulant Balla u detyrua të pranojë atë që e dinë të gjithë: se ai ka miqësi familjare me ish anëtarin e bandës më të pamëshirshme në Shqipëri, që është i dënuar në Itali me 21 vjet burg si trafikant i rrezikshëm droge dhe është shndërruar nga Rilindja në një biznesmen të fuqishëm ndërtimi.

Në çdo vend normal, një rrëfim i tillë për miqësi familjare me botën e krimit do të pasonte me dorëheqjen nga çdo funksion politik. Në Shqipëri ky standard funksionon me shkarki nga detyra për gjyqtarët, prokurorët dhe policët. Por nuk funksionon për Edi Ramën, Fatmir Xhafën dhe Taulant Ballën.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste nuk iu përgjigj pyetjes kryesore që bëjnë shqiptarët dhe opozita:

Çfarë e lidh atë me një trafikant ndërkombëtar droge, pasuria e të cilit është shumëfishuar që nga lidhja e miqësisë me Taulant Ballën, që njihet, tani edhe si mr. Toyta Yaris?

Taulant Balla gënjeu publikisht, kur tha se miqësia me Edmond Begon nuk i ka dhënë trafikantit të drogës mburojë politike, por nuk i dha përgjigje pyetjes: Pse aksioni qeveritar “Forca e Ligjit”, i cili verifikon ligjshmërinë e pasurisë së trafikantëve të drogës, nuk ka vepruar ndaj mikut të tij Mondi Bego.

Është gënjështër e pacipë deklarata e Taulant Ballës se miku i tij me 5 emra ishte një njeri i zakonshëm dhe po përdoret nga PD për të hedhur baltë mbi të për qëllime politike. Edmond Bego, alias Manoli Bego, alias Mond Bega, alias Saimir Sina, alias Saimir Gjatari është anëtar i bandës së Aldo Bares, trafikant i jashtëzakonshëm droge, i dënuar me 21 vite burgim në Itali.

Sot Taulant Balla nuk duhet të sfidojë PD, por Prokurorinë dhe policinë për t’iu kërkuar zbatimin e “Forcës së Ligjit” për verifikimin e ligjshmërisë së pasurisë së mikut të tij trafikant.

Ora 15:58
Gazetarja e kap të papërgatitur Taulant Ballën: Do përgjigjem një moment tjetër

Gjatë konferencës së sotme për mediat, ku deputeti socialist Taulant Balla, në një takim me dy deputetë të Bundestagut gjerman, reagoi për disa çështje, mes tyre dhe atë për arrestimin e Edmond Begos.

Gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi, pyeti Ballën lidhur me debatin për ndarjen e kufijve Kosovë-Serbi.

Socialisti duket se ishte “i papërgatitur”, pasi nuk pranoi të përgjigjej dhe tha se nuk donte të shkaktonte keqinterpretime.

Pyetjet tuaja ishin të ndryshme. Por, për të shmangur ndonjë keqinterpretim, do përgjigjem në një moment tjetër. Megjithatë, mendoj se Kosova është një shtet sovran dhe vendimet për çështjet e veta i merr vetë.

Taulant Balla, deputet i PS-së