SPANJË - Një incident i rëndë ka tronditur ambientin e Real Madridit gjatë ditëve të fundit, teksa në stërvitje ka shpërthyer një konflikt fizik mes Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni, ku janë përdorur edhe grushtat.

Sipas raportimeve nga Spanja, tensioni nisi pas një ndërhyrjeje të ashpër në stërvitje dhe u përshkallëzua një ditë më pas. Përpjekja e trajnerit Alvaro Arbeloa për të qetësuar situatën dështoi, ndërsa debatet vazhduan deri në ambientet e brendshme.

'RMC Sport' bëri me dije se Valverde pësoi një çarje në kokë dhe humbi ndjenjat për disa sekonda, duke u dërguar më pas në spital. Klubi reagoi zyrtarisht dhe priten masa disiplinore.

"Pas ngjarjeve të ndodhura në stërvitjen e ekipit të parë, klubi ka vendosur të hapë procedura disiplinore kundër lojtarëve tanë Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni", bën me dije Real Madridi.

Ngjarja vjen në prag të El Clasicos, ku Barcelona mund të sigurojë titullin me një pikë në ndeshjen kundër Real Madridit.

Ndërkohë, vetë Federico Valverde ka reaguar për herë të parë, duke minimizuar situatën.

“Pata një incident në stërvitje që u ekzagjerua për shkak të lodhjes dhe frustrimit. Këto gjëra ndodhin në një skuadër dhe zakonisht zgjidhen brenda grupit. Nuk pati përleshje mes meje dhe bashkëlojtarit. Gjatë debatit godita pa dashje një tavolinë dhe mora një prerje të vogël në ballë, për të cilën shkova për një kontroll rutinë në spital”, u shpreh mesfushori uruguaian.

Ky sezon me zero tituj ka bërë që klima në kampin madrilen të jetë më shumë se negative, çka ka sjellë disa përplasje mes lojtarëve, ndërsa edhe situata me Mbappe nuk është e qetë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:53
Pse Real Madridi po 'digjet' nga brenda? Zbulohet arsyeja që çoi në përçarjen e lojtarëve

1778230482_realmadrid.jpg

Real Madridi ka pasur një javë të trazuar në prag të El Clasicos dhe gjithçka kulmoi të enjten, kur Aurelien Tchouameni dhe Fede Valverde u përplasën fizikisht gjatë stërvitjes. Dyshja u përfshi në një debat të ashpër të mërkurën dhe 24 orë më vonë situata u përshkallëzua ndjeshëm deri te grushtat dhe tani të dy janë nën hetim të brendshëm nga klubi.

Sipas El Mundo Deportivo, shkaku i kësaj situate lidhet me vendimin e klubit për t’u ndarë me ish-trajnerin Xabi Alonso pas humbjes ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës në janar, një vendim me të cilin shumë lojtarë nuk ishin dakord.

Në skuadër kishte disa futbollistë që ishin pro Alonsos, por po aq të tjerë ishin në favor të largimit të tij. Kjo krijoi përplasje të brendshme, të cilat me kalimin e kohës janë përshkallëzuar dhe kanë çuar te incidentet e fundit; ai mes Tchouamenit dhe Valverdes, si dhe një tjetër përplasje ku Antonio Rudiger thuhet se e ka goditur me shuplakë mbrojtësin Alvaro Carreras.

Ngjarja mes Valverdes dhe Tchouamenit solli ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të menaxherit të përgjithshëm Jose Angel Sanchez, ndërsa drejtuesit më të lartë, përfshirë presidentin Florentino Perez, raportohet se janë të zhgënjyer me skuadrën.

Burime brenda klubit për mediet spanjolle i përshkruajnë lojtarët si “një grup shumë i papjekur, janë si fëmijë”. Hierarkia e klubit po ashtu është shprehur e pakënaqur me rolin ose mungesën e rolit të trajnerit Alvaro Arbeloa në menaxhimin e situatës.