Jeta e re e Pashukut, (ar) miqtë e
arinjve dhe ‘lufta’ e humbur e Serbisë

Jeta e re e Pashukut, (ar) miqtë e<br />arinjve dhe ‘lufta’ e humbur e Serbisë
Tre arinjtë shqiptarë Pashuku, Tomi dhe Xhina kanë rilindur në Kosovë duke filluar një jetë të re, larg kafazit, zinxhirëve, keqtrajtimit duke u tërhequr zvarrë rrugëve të qyteteve dhe ushqimit me plehra. Para pak javësh tre arinjtë u transferuan në qendrën strehimore ‘Pylli i Arinjve’ në Graçanicë.
 
Qendra e ndërtuar nga Fondacioni ‘Katër Putrat’ mbart dhe përçon shumë mesazhe. Kosova ka vetëm pak vite shtet, por kjo nuk e ka penguar që të jetë shembull në rajon për trajtimin e ariut tëmurrmë.
 
Qendra Strehimore është një ambasadore mjaft e mirë e Kosovës, ndërsa investimi mbi 2 milionë Euro është kthyer në mundësi punësimi për shumë familje dhe burim për bizneset e zonës.
 
‘Pylli i Arinjve’

Fondacioni ‘Katër Putrat’ vendosi që të investonte në Kosovë për të ndërtuar qendrën falë burokracisë dhe indiferencës së qeverisë së Serbisë, e cila nuk i ishte përgjigjur interesit të austriakëve.
 
Kështu përfaqësuesit e fondacionit kontaktuan me përfaqësues të Kosovës, ku qeveria e shtetit të ri u hapi dyert në 2012 për bashkëpunim.
 
Komuna e Prishtinës ku ndodhet pylli i arinjve dha lejen dhe shtroi rrugën, ndërsa qeveria e miratoi duke e konkretizuar idenë duke bërë realitet investimin 2 milionë Euro. Qendra, e vetme në Ballkanin Perëndimor është ndërtuar ne një sipërfaqe të konsiderueshme ku për cdo ari është parashikuar një hapësirë prej 5 mijë m2.
 
Kostoja për cdo ari në ditë shkon nga 7-10 Euro, pa përfshirë këtu shërbimet e tjera që marrin duke e dërguar shifrën e shpenzimeve në mbi 150 mijë Euro në vit. Në qendër aktualisht ndodhen 19 arinj, prej të cilëve 3 nga Shqipëria, ndërsa pjesa tjetër nga Kosova. Por si arrin qendra që të mbulojë shpenzimet?
 
Drejtori ekzekutiv, Afrim Mahmutina shpjegon se nga Janari deri në Shtator të këtij viti numri i vizitorëve ka arritur në 30 mijë dhe me një shumë simbolike nga biletat mbulohet një pjesëe shpenzimeve, pjesa tjetër nga Fondacioni dhe shoqatat.
 
Qendra synon që deri në 2020 të arrijë pavarësinë ekonomike. Përsa i përket kushteve të sigurisë, ‘Pylli i Arinjve’ përpos rrjetës është i rrethuar edhe me elektricitet, i cili sikur na shpjegojnë specialistët nuk përbën asnjë rrezik për kafshët, pasi ariu sipas tyre ka një nuhatje mjaft të mirë me anë të shqisave duke shmangur rrezikun.
 
Sa jeton një ari
Shkak i ndërtimit të qendrës në Kosovë është bërë ariu Kasandra. Ariu, sipas specialistit të qendrës natën e vitit të Ri 2012 ishte në faqen e parë të gazetës më të madhe austriake me titull ‘Ne po festojmë, ndërsa Kasandra është mbyllur pas hekurave në kushte mizore’.
 
Shefi i Agjencionit të Mbrojtjes së Mjedisit Kosovë, Ilir Morina thotë se inspektorët janë përballur me kallashnikovin dhe kërcënime nga më të ndryshmet për të penguar nxjerrjen e arinjve nga robëria.
 
Një ari në liri të plotë në natyrë mund të jetojë 25 vite, ndërsa në strehimore 30-35 vite.
 
Biznesi
Qendra strehimore ka punësuar mbi 16 persona, një pjesë tjetër me part- time, ndërsa u ka dhënë një stimul të madh bizneseve në Graçanicë.
 
Zona pas hapjes së ‘Pyllit të Arinjve’ ka njohur një zhvillim të shpejtë, pasi është kthyer në një pikë atraksioni per mijera vizitorë në muaj, ndërsa interesi vazhdon të jetë në rritje.
 
Investimi mbi 2 mln Euro ka kthyer shpresën te banorët, pasi sikur thonë ata nëse nuk do të ishte një mundësi e tillë do të largoheshin në emigrim.
 
Humbja e serbëve
Pas sinjalizimit që Shqipëria do të dërgonte tre arinj në Kosovë, sipas drejtorit të qendrës, serbët dolën kundër duke kërkuar që Tirana zyrtare të negocionte me Beogradin duke anashkaluar Prishtinën, pasi Kosova nuk e ka firmosur konventën për lejimin e import-eksportit të kafshëve.

Por kërkesa u injorua nga dy shtetet shqiptare që në bashkëpunim me Fondacionin firmosën memorandumin.
 
Pashuku, Tomi dhe Xhina
Tre arinjtë që u dërguan nga Shqipëria për pak muaj e kanë marrë veten shumë shpejt duke pësuar një ndryshim total.
 
Sipas Drejtorit Ekzekutiv, Afrim Mahmuti arinjtë nga Shqipëria po integrohen në kushte optimale dhe shumë shpejt do të kenë hapësirën e tyre të parashikuar 5 mijë m2, pasi për momentin janë vendosur në një hapësirë më të vogël sipas rregullave të parashikuara.
 
‘Kur erdhën nga Shqipëria kishin shumë probleme, trauma dhe dëmtime, sidomos te dhëmbët, pasi kishin qëndruar shumë kohë me zinxhirë në gojë”. Ai thekson se Xhina është shumë e ndrojtur nga njerëzit ndryshe nga sa kishte deklaruar më parë pronari i saj, ndërsa Pashuku dhe Tomi janë ambientuar.
 
Gjithashtu nga komunikimi me specialistët e qendrës mësuam se Tomi dhe Pashuku pëlqejnë shumë mollët dhe gështenjat, ndërsa Xhina perimet i ka nxjerrë nga menuja e preferuar. Ushqimi i përditshëm i arinjve ishte mollë, gështenja, perime, por edhe mbetje mishi para letargjisë.
 xhina tomi pashuku

[gallery]19252[/gallery]
 
Sterilizimi dhe de-natyralizimi
Pas njohjes me kushtet dhe gjendjes së mirë, pyetja që lind natyrshëm është a do të çiftohen arinjtë? Përgjigja nga Drejtori Ekzekutiv është; Jo, arinjtë janë sterilizuar.
 
Por përse ndodh një gjë e tillë? Sipas Afrim Mahmutit, arinjtë nuk lejohen që të çiftëzohen, pasi këlyshi duhet që të qëndrojë të paktën tre vite me nënën pas lindjes, por një gjë e tillë sjell humbjen e instinkteve të mbijetesës nëse lirohet.
 
Në një qendër në Bullgariështë bërë një provë duke e izoluar këlyshin e ariut që të vogël, larg njerëzve, por eksperimenti dështoi, pasi nuk ishte në gjendje të siguronte ushqimin duke humbur instinktet.
 
Kjo ka bërë që arinjtë të sterilizohen, ndërsa fati i tyre është i destinuar brenda hapësirës 5 dynym në pyllin e blinduar.
 
7 vite burg për një ari
Nëse në Kosovë vret një ari mund të dënohesh nga 2 deri në 7 vite burg, ndërsa nëse e dëmton gjobitesh me 10 mijë Euro.
 
Ilir Morina thotë se burgut nuk i kanë shpëtuar as neglizhuesit, që e kanë pasur për detyrë që të përkujdesen dhe të njoftojnë për problemet që shfaqen.
 
Në Shqipëri forcimi i masave është ende në diskutim, pasi deri në këto momente vrasja e arinjve dhe mbajtja në robëri mund të ndëshkohen vetëm me gjobë.
 
Udhëheqësja e Drejtorisë për Biodiversitetin, ElvanaRamaj thotë se shumë shpejt do të miratohen ndryshimet në Kodin Penal edhe në Shqipëri.
 
Projekti në Parkun e Dajtit
‘Nuk do ta kursejmë mbështetjen dhe përvojën për Shqipërinë’. Kështu shprehet drejtori ekzekutiv i qendrës strehimore në Kosovë për projektin qëështë parashikuar edhe në Tiranë.
 
Ministria e Mjedisit thekson se është përzgjedhur parku kombëtar i Dajtit për ta përshtatur për ‘Pyll për Arinjtë’.
 
Fillimi duket se është i mbarë. Ashtu si në Kosovë edhe në Shqipëri, Fondacioni austriak ‘Katër Putrat’ do të jetë gur themeli, ndërsa Elvana Ramaj deklaron se ambasadat e Austrisë, Suedisë, Norvegjisë, Gjermanisë dhe disa donatorë kanë shfaqur interes për ndërtimin e qendrës. Ndërsa parku i Dajtit është përzgjedhur duke parë edhe afërsinë me Tiranën.
 
Duke qenë se dëshira ekziston, leja pritet që tëmos hasë vështirësi, pasi Agjencia e Zonave të Mbrojtura në Ministrinë e Mjedisit ka nisur procedurat dhe pas konkretizimit të fondeve fjalën e fundit do ta thotë KKT për lejen e projektit që kushton rreth 2 mln Euro.
 
Një shpresë më shumë drejt konkretizimit të qendrës në Shqipëri, e jep edhe menaxheri i qendrës së Kosovës CarstenHertwig që e shikon si reale mundësinë e bashkëpunimit edhe me Shqipërinë në Ballkan pas Kosovës, Bullgarisë dhe Greqisë, teksa së fundmi e kanë hapur një të tillë edhe në Vietnam.
 
Gjendja në Shqipëri
Aktualisht në territorin shqiptar janë të identifikuar 50 arinj në robëri, 18 janë liruar dhe ndodhen në proces transferimi, 2 nga të cilët, Luna dhe Jeta do të dërgohen pas pak javësh në Kosovë duke iu bashkuar Pashukut, Tomit dhe Xhinës.
 
E ndërsa Pashuku shpëtoi vetëm për një muaj sipas specialistëve, sepse zinxhiri që kishte në qafë prej vitesh mund të rezultonte fatal nëse do të qëndronte edhe pak javë. Vendi ku janë marrë më shumë arinj sipas Ministrisë së Mjedisit Tirana dhe Librazhdi.
 
Megjithatë debati dhe kundërshtitë me disa nga vullnetarët për mbrojtjen e kafshëve nuk mungoi gjatë diskutimit në Kosovë, pasi ata shprehen se në qendër të Tiranës janë akoma në robëri 2 arinj që përdoren për tërheqjen e vizitorëve në një restorant me të njëjtin emër dhe nuk konfiskohen nga institucionet.
 
Por përfaqësuesja e Ministrisë së Mjedisit, Elvana Ramaj përgjigjet duke deklaruar se ‘2 arinjtë në atë biznes privat janë identifikuar, por duke mos pasur qendrën dhe as vend në Kopshtin Zoologjik, konfiskimi fillon nga arinjtë që janë në gjendje më të rëndë.
 
Kështu që duke qenë se hapësira më të mirë se aty ku janë nuk mund të sigurojmë, 2 arinjtë do të qëndrojnëderisa të ndërtojmë qendrën strehimore në Shqipëri, që sipas parashikimeve tona do të përfundojë në fund të 2017 dhe ata do të transferohen në qendër.

Aktualisht 6 i kemi dërguar në Gjermani, po kaq në Itali, 3 në Greqi dhe 3 në Kosovë, ndërsa pritet që të dërgohen edhe 2 të tjerë”. Por, sipas vullnetarëve fuqia e biznesit bllokoi konfiskimin e arinjve.
 
Megjithatë të dy palët bashkohen në një pikë; sensibilizmi dhe ndërgjegjësimi për mbrojtjen e arinjve. E ndërsa arinjtë e murrmë janë në rrezik në Shqipëri ka një mbipopullim të dhelprave, sipas Ramajt.
 
Shqiptarët dhe serbët i bashkon vetëm anglishtja
Plagët e luftës ende nuk janë mbyllur në Kosovë. Megjithatë të dy palët në Graçanicë, e banuar me shumicë serbe e kanë pranuar njëri tjetrin.
 
Mes tyre ka një luftë të heshtur, serbët s’pranojnë komunikimin në shqip dhe as më pak kosovarët dhe si rrugë të mesme, thotë Jeton Hetemaj, njëri nga specialistët e strehimores është gjuha angleze.
 
Miqësia dhe krushqia as që mendohet mes dy palëve, pasi janë në ‘llogoret’ e tyre duke ruajtur me fanatizëm traditat, ndërsa ajo që në rastet e rralla i bashkon është biznesi, sipas Hetemajt. Në qendër të Grashanicës valëvitet flamuri serb mbi shtatoren e Millosh Obiliçit mbi kalë dhe posterat e kryeministrit Vucic e ministrit të Jashtëm Dacic.
 
Por krenaria serbe në Graçanicë është manastiri i shumë diskutuar. Një nga përfaqësuesit e manastirit na uron gjatë vizitës mirëseardhjen në shqip, por tenton të tërheqë vëmendjen duke thënë që jemi në Serbi, edhe pse kjo e fundit për kosovarët ndryshe nga më parë, tashmë është një tigër prej letre dhe nuk tremb askënd.
gracanice
Shtatorja e Millosh Obiliçit
manastirti
Manastiri

Redaksia/ Shqiptraja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Vangjeli: Edhe Rama do ta votonte Gazmend Bardhin për kryetar të PD

Vangjeli: Edhe Rama do ta votonte Gazmend Bardhin për kryetar të PD