“Tërshëra nuk duhet ngrënë nga njerëzit”, është kjo deklarata e mjekut natyropat Arben Gjoni për sa i përket përdorimit të këtij produkti i cili së fundmi është vendosur edhe në menunë e çerdheve dhe kopshteve në vend. Sipas mjekut natyropat organizmi i njeriut nuk tret dot tërshërën nga mungesa e një enzime. Tërshëra, u shpreh Gjoni ka shumë vlera, por është ushqim për kafshët si gomari, mushka apo kali.
“Tërshëra nuk duhet ngrënë nga njerëzit. Është injorancë totale e shërbimit shëndetësor dhe e dietologëve që e kanë bërë , që fëmijët vazhdojnë të hanë tërshërë. Tërshëra është një fibër e cila kërkon një enzimë që të tretet. Atë enzimë trupi ynë nuk e prodhon dhe ndaj nuk e tresim dot , duke e kthyer në një ushqim intolerant për organizmin. Tërshëra ka shumë vlera por organizmi ynë nuk e thith dhe nuk e tret dot . Kali, gomari , mushka kanë dhëmbë shumë të fortë dhe e tresin tërshërën e bëjnë pluhur. Është pështyma e tyre që prodhon një enzimë e cila e shpërbën që në gojë. Pavarësisht se ne e bluajmë dhe e fusim në kos, por nuk i gjejmë dot këto enzima.”
Mjeku natyropat Arben Gjoni i ftuar në studion e emisionit Rreze Dielli në Report TV, foli mbi natyropatinë, disiplinën që praktikon mjekësinë komplementare. Shpesh e ngatërrojnë me mjekësinë popullore, por natyropatia është një disiplinë për të cilën përgatitesh në shkollë.
“Mjek alternativ quhet një mjek që është diplomuar në mjekësi , por kuron në mënyra alternative. Mjek popullor mund të quajmë një individ i cili nuk ka marrë njohuri në shkollë, por ka marrë nga familja informacione për kura të veçanta, të cilën e çon përpara siç janë shërimi i plagëve. Për të qenë mjek popullor duhet të shkosh te Instituti i Bimëve, për të dhënë një provim që të quhesh mjek popullor. Mjeku natyropat është një individ i përgatitur në shkollë, nuk e ka të trashëguar nga dikush.”
Natyropatia nuk synon shërimin e sëmundjes, por parandalimin e saj. Kjo gjë bëhet nëpërmjet disa hapave të cila natyropati Gjoni i shpjegoi si më poshtë.
“Në fillim bëhet një analizë nëpërmjet irisit të syrit , pasi në 70-80 % të rasteve problemet tona pasqyrohen edhe në irisin e syrit. Pastaj bëhet një kontroll i përgjithëm i organeve të trupit, një nga një me metodën e kinezologjisë së aplikuar . Me anë të kësaj metode marr informacion të drejtpërdrejtë për gjendjen e organeve. Nuk është një diagnostikim klinik, por një paradiagnostikim nga ana funksionale dhe jo patologjike.”
Mjekët natyropatë këshillojnë që të përkujdesesh për organizmin përpara se të agravojë sëmundja. Përsa i përket tumoreve dhe sëmundjeve të rënda është e vështirë për natyropatinë, por gjithsesi mund të ndihmojë .
“Tumoret janë një degradim shumë i rëndësishëm i organizmit dhe është pak vonë që të merresh me natyropatinë, por mund ndihmon. Kur bëhet kimioterapia dhe seancat e tjera trupi fillon e bie, organet ulin funksionet. Atëherë ne bëjmë një mbështetje të ketyre organeve në mënyrë që ai që bën kimioterapi ta përballojë sa më mirë”.
Kjo fushë është e panjohur në Shqipëri dhe njerëzit nuk janë shumë të informuar, por nëpër botë po i kushtohet gjithnjë e më shumë vëmendje.