Nju Jork, autoritetet: Individë të jashtëm po përshkallëzojnë protestat

Nju Jork, autoritetet: Individë të jashtëm po përshkallëzojnë protestat

Tensionet në universitetet amerikane kanë hyrë në një fazë të re ndërsa zyrtarët thonë se individë të jashtëm, janë përfshirë në protestat pro palestineze në universitetet amerikane për t’i përshkallëzuar ato. Të martën në mbrëmje policia e Nju Jorkut arrestoi mbi 300 protestues tek Universitetet ‘Columbia’ dhe ‘City College’ . Në Universitetin e Kalifornisë ndërkohë, grupet pro palestineze dhe pro izraelite u përleshën me njëri tjetrin.

Përleshjet në Universitetin e Kalifornisë në mes të grupeve pro-palestineze dhe pro-izraelite zgjatën për të paktën dy orë, derisa ndërhyri policia.

Përleshjet ndodhën pranë zonës ku ndodheshin protestuesit pro-palestinez, ndërsa grupi kundërshtar bëri përpjekje të hiqte barrikadat që kishin ngritur ata.

Në pamjet filmike shihen fishekzjarre duke shpërthyer afër kampit të protestuesve pro palestinezë.

Protestuesit përdorin karrige e shkopinj për të qëlluar njeri tjetrin. Në një moment, disa persona shihen duke qëlluar me shkelma dhe shkopinj një person të shtrirë në tokë.

Në anën tjetër të vendit, në Nju York, policia ndërhyri në ndërtesën e Universitetit “Columbia’, që ishte marrë nën kontroll nga protestuesit pro-palestinezë një ditë më parë. Policia e Nju Jorkut publikoi imazhe nga operacioni i saj brenda ndërtesës duke treguar shkatërrimet.

Para operacionit policor, zyrtarë të qytetit të Nju Jorkut thanë se “individë të jashtëm” që nuk janë studentë, po bënin përpjekje për të përshkallëzuar protestat.

“Ne po shohim ndryshimin e taktikave duke rrezikuar sigurinë publike. Këto protesta dikur paqësore po shfrytëzohen nga individë të jashtëm, profesionistë. Siguria e të gjithë studentëve, pedagogëve dhe personelit tani është një shqetësim”, tha Edward Caban, Komisioneri i Policisë së Nju Jorkut.

Ky qëndrim u konfirmua të mërkurën edhe nga Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams.

Universiteti i ‘Columbia-s’ është paditur këtë javë për paaftësinë për të krijuar një mjedis të sigurt për studentët hebrenj. Disa thonë se protestuesit pro-palestinezë i kanë kërcënuar dhe sulmuar fizikisht.

“Ata janë sulmuar fizikisht dhe janë përballur me gjuhë të urrejtjes. Ata janë larguar me forcë nga hapësirat e universitetit. Krahas padisë ne kemi bërë edhe një mocion që kërkon ndihmë urgjente për të mundësuar shkuarjen e sigurt të studentëve hebrenj në universitet për të përfunduar vitin”, thotë Rafey Balabanian një nga avokatët e grupit të studentëve që ka bërë padinë.

Eli Tsives, student hebre në Universitetin e Kalifornisë publikoi një video të protestuesve të maskuar pro-palestinezë që nuk e lejuan të hynte në universitet.

“Unë jam student dhe paguaj për shkollimin. Kjo është shkolla jonë dhe nuk më lënë të hyj brenda. Ligjeratat i kam atje brenda”, thotë ai.

Zoti Tsives, student i vitit të parë, thotë se u trondit nga kjo.

“Një protestë paqësore nuk përfshin thirrjen për gjenocid ndaj hebrenjve. Një protestë paqësore nuk përfshin bllokimin e plotë të hyrjes në një pjesë të caktuar të universitetit për studentët hebrenj. // Nuk dua të them se nuk ndihem i sigurt, sepse nuk dua që ata të mendojnë se kam frikë prej tyre apo diçka të tillë // Por do të them, megjithatë, se njerëzit kanë filluar për të njohur fytyrën time. Vërej se më shikojnë ashpër kur kaloj pranë tyre. Tani jam i detyruar të mbaj spërkatës me lëng djegës për tu mbrojtur”, thotë studenti Eli Tsives.

Me afrimin e diplomimit, disa profesorë të fakultetit shqetësohen se vetë arsimi është lënë pas dore.

“Studentët duhet të vendosin nëse duan të jenë studentë. Për sa kohë që ata thyejnë dritaret dhe ndërpresin njerëzit e tjerë nga puna e tyre, ata nuk janë studentë”, thotë Profesori në Universitetin ‘Columbia’, John Kymissis

Që nga fillimi i protestave pro-palestineze në fillim të këtij muaji, arrestimet e lidhura me protestat kanë tejkaluar shifrën 1000./Voa

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi në Report Tv/ Takimi i Ramës në Athinë, normal apo provokim? Ja si përgjigjen qytetarët

Sondazhi në Report Tv/ Takimi i Ramës në Athinë, normal apo provokim? Ja si përgjigjen qytetarët