POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Përkrahja për njerëzit në nevojë një prioritet për presidentin Mane, ja kontributi i Grupit Balfin tre vitet e fundit

Presidenti i grupit Balfin, Zamir Mane duke inaguruar shtëpinë e re për familjen Sorra

Grupi Balfin ka qenë mjaft i angazhuar në përgjegjësinë sociale gjatë tre viteve të fundit dhe kompania ka shfaqur një vëmendje të posaçme për kategori të ndryshme familjesh apo individësh në nevojë. Nën kujdesin e veçantë të presidentit të Grupit Samir Mane, janë të shumta historitë e trishta, të cilat grupi është përpjekur që t’i ndryshojë për mirë.

Rindërtimi i shtëpisë për familjen Sorra

Ndër to mund të përmendet padyshim rasti i varfërisë ekstreme të familjes Sorra në njësinë administrative Kashar në Tiranë, që tronditi dhe preku mbarë opinionin publik. Pak kohë më parë, Grupi Balfin, e rindërtoi shtëpinë e kësaj familjeje, duke ia ndryshuar tërësisht kushtet e jetesës. Sot tre vogëlushët e kësaj familjeje kanë një strehë dinjitoze dhe mund të jetojnë me kushte normale, si shumica e bashkëmoshatarëve të tyre.

Një tjetër rast ishte edhe ai i zjn. Silvana, me aftësi të veçanta nga Delvina. Nëna e dy fëmijëve jetonte në kushte të vështira ekonomike bashkë me nënën e saj, e cila vuan nga një sëmundje mendore dhe me raste bëhet edhe e dhunshme. E braktisur nga bashkëshorti, i cili ka marrë me vete edhe dy fëmijët, 41 vjeçarja e papunë të ardhura të vetme kishte pensionin e nënës së saj të sëmurë.

Grupi Balfin reagoi menjëherë duke plotësuar dëshirën e Silvanës për të pasur një makinë qepëse, me qëllim që ajo të ketë mundësi të fitojë të ardhura duke ushtruar zanatin e saj. Në vizitën e bërë në banesën e Znj. Silvana, përfaqësues të Grupit Balfin i ofruan asaj një sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore, ndihmë e cila do të vijojë për tre vitet e ardhshme në formën e një pensioni mujor prej 15,000 lekësh. Kjo shumë do t’i jepet familjes së saj çdo muaj, e konvertuar në ushqime nëpërmjet një prej maketeve të qytetit të Delvinës.

Ndihma për familjet Luka dhe Biçaku

Në muajin qershor, presidenti i Grupit Balfin, deklaroi drejtpërsëdrejti në emisionin “Opinion” në TV Klan, se merrte përsipër të gjitha shpenzimet për problemet ekonomike të familjes Luka në Vorë, një familje, ku nëna e tre vajzave e kishte shumë të vështirë t’i garantonte jetesën të bijave. “Edhe sikur 3-4 raste të zgjidhim sot, bëjmë pesë familje të lumtura dhe e ardhmja do të jetë më pozitive. Për rastin konkret Arbri (drejtuesi i Fondacionit Fundjavë-Ndryshe) bashkë me ne, do të merret nëpërmjet nesh dhe Balfin Foundation, që ta zgjidhim hallin konkret. I marr përsipër të gjitha shpenzimet e kësaj familjeje. Do t’ia zgjidhim të gjitha hallet, përfshi shtëpinë dhe shërbimin mjekësor” – u shpreh Z. Mane gjatë emisionit. Ai bëri të ditur gjithashtu, se vetëm në bashkëpunim me Fondacionin Fundjavë-Ndryshe, Grupi Balfin po mbështet 35 familje që përballen me vështirësi në punësim, shkollim apo asistencë mjekësore. Por mbështetja që Grupi Balfin jepe përmes kësaj organizate është vetëm gjysma e mbështetjes totale, sepse një kontribut i tillë jepet edhe për mjaft shoqata dhe organizata të tjera. Në nëntor 2017, historia e varfërisë së tejskajshme të familjes Biçaku në fshatin Thanasaj të Lushnjes, tronditi dhe preku mbarë audiencën përgjatë transmetimit të reportazhit në emisionin “Opinion”. Për shkak të problemeve shëndetësore, asnjë prej pjesëtarëve të kësaj familjeje me tre fëmijë nuk ishte vlerësuar si i aftë për të punuar, ndaj dhe ushqimi dhe nevojat e tjera bazike që ata kanë, siguroheshin me të ardhura minimale nga asistenca. Gjatë transmetimit live të emisionit, Grupi Balfin, nëpërmjet kompanisë SPAR Albania, u ofrua të sigurojë për familjen Bicaku plotësimin e nevojave të tyre ushqimore për dy vite me radhë, kontribut i cili arrin vlerën e 720,000 lekëve.

Kontributi dhe bashkëpunimet e tjera

Grupi Balfin i është bashkuar gjithashtu programit social të World Vision, “Tungjatjeta”, si një nga partnerët strategjikë të këtij programi. Organizata ndërkombëtare World Vision ka në themel mirëqenien e fëmijëve përmes zhvillimit komunitar. Në të gjithë vendin rezulton se 70 mijë fëmijë të moshës 2 deri në 17 vjeç janë me aftësi të kufizuara ndërkohë që 92 % e tyre nuk marrin shërbimet bazë për të cilat kanë nevojë. Tungjatjeta është një program social i dedikuar për fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët jetojnë në zonat më të thella të vendit. Ndërkohë pjesë e përgjegjësisë sociale të Grupit Balfin është edhe puna për përfshirjen në proceset e punës të një prej grupeve më të diskriminuara në shoqërinë e sotme, të cilët janë personat me aftësi ndryshe. Këta persona janë një grupim i pambrojtur dhe shpesh nuk gjejnë mbështetje për të mundësuar integrimin e duhur të tyre në tregun e punës. Një punë e filluar gjatë vitit 2016 është kristalizuar me rezultate konkrete në fillim të 2017. Grupi Balfin, duke patur këtë grup në vëmendje dhe për të mundësuar integrimin e këtyre personave në tregun e punës, ka aplikuar një projekt krejt të veçantë. Projekti ka nisur me një bashkëpunim me Fondacionin Shqiptar të të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara (FSHDPAK) ku bashkarisht është analizuar dhe zbatuar një program special për këtë kategori. Këto poste pune/role janë analizuar njëherazi si nga përfaqësuesit e FSHDPAK ashtu edhe nga përfaqësuesit e Grupit Balfin (Mjeku i kompanisë dhe Drejtuesi i Burimeve Njerëzore). Pas analizës dhe përcaktimit të pozicioneve dhe duke patur parasysh kërkesat për pozicionet vakante është bërë përzgjedhja e kandidaturave të mundshme në listat e shoqatës. Për këto nisma dhe të tjera, Grupi Balfin është shpallur nga Partners Albania si fitues i Çmimit të Filantropisë për vitin 2016 për kontributin e gjithanshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së individëve e komuniteteve, për mbështetjen e ideve inovatore të sipërmarrësve të rinj, për vëmendjen e veçantë të treguar ndaj institucioneve e organizatave që ofrojnë shërbime për fëmijët me sindromën Doën, personat me çrregullime të spektrit autik, të moshuarit, e personat me sëmundje terminale, si dhe për ndjeshmërinë e treguar ndaj mbrojtjes së mjedisit.

f.g./ma.nd.