Tiranë- Një ditë pasi deputeti i Kurbinit reagoi ashpër dhe kërkoi shkarkimin e drejtuesve të policisë pas ngjarjeve kriminale atje, kryeministri Rama kërkon përjashtimin e tij. Gjetan Gjetani nuk ka qenë sot i pranishëm në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS, ndërsa kryeministri e ka quajtur pocaqi reagimin e bërë prej tij. 

Një deputet që nuk ka bërë punë tjetër veçse ka shantazhuar dhe kërkon ekskluzivitet të vërë shefa policie në Kurbin, bën deklaratë pocaqi kundër policisë në Kurbin ai nuk mund të jetë deputet i PS-së.

Kryeministri Edi Rama

Sipas të parit të qeverisë, Partia Socialiste nuk duhet të mbajë në gjirin e saj njerëz me sjellje të tillë, vetëm për numra.

Në djall vaftë pushteti ynë nëse duhet të durojmë të tilla sjellje vetëm për numra.

Kryeminsitri Edi Rama

Në nisje të asamblesë kombëtare të Partisë Socialiste kryeministri i vendit Edi Rama ka deklaruar hapur se PS-ja, sidomos në rrethe duhet të reformohet. Sipas tij, drejtuesit e PS-së duhet të heqin dorë nga kërkesat e tyre për të punësuar njerëz në shtet.

Të themi një të vërtetë, partia në territor është larg të qënit PS që duam për sfidat që kemi përpara larg të qënit partia që kryen funksionet e patjetërsueshme të komunikimit dhe ndërmjetësimit me ata që na kanë besuar. Madje pa e tepruar aspak mund të thuhet se shumica e drejtuesve e kanë braktisur detyrën, janë kthyer në ndërmjetës për punësime. Kjo është e patolerueshme, bie ndesh me betimin që unë dhe të gjithë kemi bërë për ta çuar tepsinë për skrap.

Kryeministri Edi Rama

Kujtojmë që deputeti i PS, Gjetan Gjetani ka dalë dje kundër policisë në Kurbin dhe paralajmëron se nëse ky komisariat nuk pastrohet, ai do të jetë i pari që do dilte në protestë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:02
E përjashtoi Rama pas sulmeve ndaj policisë, Gjetan Gjetani: Vendimi i padrejtë, kam qenë me PS në ditët më të vështira

Gjetan Gjetani ka reaguar pas përjashtimit nga Partia Socialiste me vendim të kryeministrit dhe kryetarit të PS, Edi Rama. Përmes një deklarate për mediat, deputeti i Kurbinit thotë se vendimi është i padrejtë dhe arrogant. Gjetani shton gjithashtu se socialist nuk e bëri Edi Rama por ka qenë me të majtën edhe në ditët më të vështira të PS-së. 

Vendimi i Edi Rames, per te me larguar nga Grupi Parlamentar, eshte nje vendim i padrejte. Nuk me ka bere socialist Edi Rama, dhe nuk ka se si ai te me largoje. Socialist kam qene ne dite te veshtira te PS me familjen e njerez te afert te mi, dhe jo sot ne pushtet kur ndahen tendera e privilegje.

Sot Edi Rama nuk ofroi asnje zgjidhje per Kurbinin. Duke me sulmuar mua publikisht, ai as nuk shtoi investime, as vende te reja pune ne Kurbin. Perkundrazi, shtoi vetem nje doze tjeter te arrogances se tij, arrogance qe e kane dhe te besuarit e tij ne Kurbin, dhe kjo jo vetem nuk eshte ajo cfare presin banoret me shume halle, por vete problemi qe prodhon edhe me shume hendek mes qeverise dhe njerezve. 

Une pavaresisht se si shkojne interesat e dites se Rames dhe miqve te tij, do vazhdoj te jem prane qytetareve. Nuk kam qene asnjehere i pushtetshem, por kam qene i vertete me njerezit. Dhe do vazhdoj te ngreje zerin, per te gjitha shqetesimet dhe problematikat qe kane qytetaret e Kurbinit, duke mos u lekundur per asnje arsye. 

Gjetan Gjetani, deputet i PS

Deputeti i PS në Qarkun e Lezhës, Gjetan Gjetani një ditë më parë bëri një deklaratë të fortë duke akuzuar policinë e Kurbinit si të korruptuar dhe të paaftë. Ai tha se nëse policia nuk i nënshtrohet ndryshime, do dalë në protestë. Reagimi i Gjetanit erdhi pas dy vrasjeve në pak orë në Kurbin, 14-vjeçarit Adriel Sala gjatë një sherri mes adoleshentëve dhe 27-vjeçarit, Indrit Pepa, të cilit iu bë atentat pranë shtëpisë për hakmarrje.