Kryeministri Edi Rama është i njohur për “ngacmimet” e tij ndaj demokratëve. Të gjithë i mbajnë mend batutat e Ramës në fushatën për zgjedhjet qendrore të 2017-ës, kur Kryeministri përdori shenjën e dy gishtave për të kërkuar edhe votën e elektoratit të djathtë. Ndërkohë që muajt kalojnë dhe në shtator ndizen ethet e fushatës, kryeministri ka ‘zgjedhur’ të dalë në një foto me nipin e ish-ministrit të Mjedisit në qeverinë Rama 1, Lefter Kokës, me Ron Kokën.

Fotoja e siguruar nga Shqiptarja.com tregon Ramën duke shkrepur një selfie me një detaj interesant “dy gishtat e demokratëve”.

Nuk dihet nëse vizita e Kokës në zyrën e Ramës ka qenë rastësore, por ajo që mund të themi është fakti se Koka ka qenë pjesë e kabinetit Rama 1, pas shkollimit të tij në Angli. Miq të Ron Kokës pohojnë se ai ka dëshirë të jetë pjesë e politikës aktive duke ndjekur në këtë mënyrë rrugën e xhaxhait të tij.

Të mos harrojmë se ishte i ati i Ron Kokës, Leonard Koka, njeriu që pajtoi Ramën me Metën në vitin 2013,  në darkën e famshme të “ngjalave” në Gjirin e Lalzit.