POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Shfaqet dokumentari, regjisori Pirro Milkani: Si e pajtova Kadarenë me Agollin

Dokumentari “Kadare” me regji të Pirro dhe Eno Milkanit rikthehet në ekran për publikun.

Regjisori para 7 vitesh ka udhëtuar në çdo vend që Kadare ka jetuar, edhe ka lënë gjurmë. Dokumentari zë fill në shtëpinë ku gjeniu i letrave shqipe u lind edhe kaloi fëmijërinë, në Gjirokastër, për të vijuar me studimet e larta në Tiranë, vitet e qëndrimit në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki" në Moskë, deri tek arritjet pas viteve ’90 në Paris e jo vetëm.

Është realizuar para 7 vitesh, për 75-vjetorin e Kadaresë. Kur i thashë, u zemërua shumë, ai nuk i ka qejf ditëlindjet. I përkas gjeneratës së Kadaresë, që kemi jetuar me veprën e tij.

Pirro Milkani, regjisor

 

Në këtë dokumentar publiku njihet me “ëndrrën” e dytë të Kadaresë, të qenit regjisor, në filmimet e vajzave moskovite me kamera. Pa harruar edhe kontributin e madh, që ka dhënë në kinemanë shqiptare dhe jo vetëm, si skenarist.

Çdo fëmijë, çdo i ri e ka ëndërr që të realizojë një film. Atij iu botuan lirikat kur ishte 24 vjeç, mori shumë para, që i investoi në kamera. Film i xhiruar nga dora e Kadaresë bën objekt studimi për kritikët për historianët e letërsisë. Këto materiale janë me vlerë.  

Pirro Milkani, regjisor

 

Ajo që do të mbesë gjatë në kujtesën e spektatorit, por edhe të lexuesit, është “pajtimi” i shumëpritur Kadare-Agolli, pas një mungesë të gjatë, ata takohen. “Të kemi mbi veten”, është fraza që Dritëro Agolli, i thotë Kadaresë.  

“Gjatë xhirimit tim të ngadaltë, një ditë i thashë Kadaresë: “Ismail këtë film se imagjinoj dot sikur të mos jetë edhe figura e Agollit”. Janë të dy kolosë, bashkudhëtarë, që kanë qenë miq. Po të lexoni “Dosjen e Kadaresë”, nuk gjeni asnjë fjalë të mbrapsht të Ismailit ndaj Agollit, apo të Agollit ndaj Kadaresë. U mendua e tha: “Ndoshta nuk do Dritëroi”. E takova Dritëroin, edhe tha: “Po”. Kështu e bëmë. Dritëroi kishte shumë emocione. Në këtë film përdora një të tretat, ndërsa dy të tretat i përdora në filmin “Dritëro Agollit””.

Pirro Milkani, regjisor

Shpallja anëtar i Akademisë së Shkencave në Francë në vitin 1996, çmimi Princ i Asturias, nominimi për “Nobel”, por edhe çmime të tjera ndërkombëtare janë pjesë e dokumentarit, që do të mbyllet me familjen e tij, përkrah Helena Kadaresë.

ke.mu./r.k.
Komento