'Aleksandër'/ Në film historia e mekanikut që rrëmbeu anijen e flotës për t'u arratisur nga Shqipëria, i vranë të bijën 5 vjeçe! Regjisori: Xhirimet mes tre kontinenteve

Tirane- Aleksandër Gruda ish mekaniku i flotës, mban një foto të së bijës kur ishte 5 vjeç si kujtim të fundit. E humbi tragjikisht në vitin 1990, teksa përpiqej t’i dhuronte një jetë më të mirë. I liruar nga puna, e kur Shqipëria ishte ende me një këmbë në diktaturë, ai rrëmben një anije luftarake bashkë me një grup me mbi 15 veta dhe arratisen drejt ish- Jugosllavisë, por plumbat e rojeve do t’i merrnin jetën së bijës 4-vjeçare. Tre dekada më vonë, bujën e asaj historie Shkodra e mbart ende, ndërsa Ardit Sadiku e përjetëson në një dokumentar.

“Kjo histori është shumë e njohur në Shkodër, e kisha dëgjuar dhe menduar për ta trajtuar, po doja vetëm të gjeja momentin e duhur për të bërë këtë film dokumentar”, shprehet regjisori Ardit Sadiku.

Në kuadër të nismës “Forumoteka” Sadiku u ftua këtë javë në Qendrën për Hapje dhe Dialog për të folur mbi filmin “Aleksandër”, që edhe u shfaq në sallën e kinemasë të improvizuar në Kryeministri. Rrëfen se dokumentari i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë u realizua përgjatë 5 muajve, e xhirimet u kryen në tri kontinente, nisur nga Amerika ku Aleksandri e familja e tij jetojnë.

“E kam xhiruar në tri kontinente , në Amerikë ku është Aleksandri, në Australi dhe në Mal të Zi”, u shpreh ai.

Sadiku, bashkë me Aleksandrin, por edhe me të tjerë personazhe që u përfshinë në atë ngjarje, rindërtojnë, mes rrëfimesh, bisedash, takimesh historinë e trishtë, të ëndrrave që përpiu liqeni, e stërmundimeve në tokë të huaja në kërkim të lirisë. Jashtë Shqipërisë, është vetë regjisori që filmon ngjarjen.

“Ekip të vogël kam pasur në Shqipëri, por në Australi e Amerikë më është dashur t’i bëj vet xhirimet, ‘soundin’ dhe shumë gjëra të tjera, që të mundemi të përfundojmë filmin. Unë e kisha idenë për ta xhiruar në këto vende, ndaj edhe ka dalë një rezultat i tillë. Që para se të aplikoja në qendër e dija se nëse nuk do të më mjaftonin lekët e Qendrës do të më duhet edhe të financoja vetë një pjesë të buxhetit, për ta përfunduar si film, për të pasur sukses”.

Për protagonistin, realizimi i këtij dokumentari ishte një përballje ‘sy më sy’ me vende, ngjarje , njerëz që thërrisnin atë ‘arratisje tragjike’, humbjen e së bijës, e trupin e saj, që qëndronte mbi një tavolinë të anijes, në pritje të një toke ku të prehej...

“Çasti më emocional është kur Aleksandri përshkruan  momentin që mori vesh se i është vrarë vajza. Aleksandri ishte duke e ri përjetuar atë moment, por edhe unë që isha duke xhiruar, mora ato ndjesi që ka përjetuar edhe Aleksandëri”, thotë më tej.

 Ai kishte 18 vjet pa u kthyer në Shqipëri.

“Ka qenë një zgjedhje e tij për të mos iu kthyer memorieve të vjetra, asaj që ka kaluar në Shqipëri. Por, pas filmit e ka ndërruar atë mendim, thotë që do të vij më shpesh, ndihet më i lirshëm”, thotë ai.

Filmi “Aleksandër” u kandidua nga Qendra e Filmit për Çmimet “Oscar 2024”, por nuk u nominua.

“Filmi nuk u nominua, por uroj që të nominohet filmi i ardhshëm që do të bëjmë”, shprehet më tej.

B.K/K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emigrant: 02/02/2024 12:41

    Ne fakt historia eshte interesante Por ta vesh ditet e sotme te rremvesh nje anije luftarake qehesh terrorist apo dicka me te rend

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion