POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Taksa doganore në Kosovë, Ministri i Tregtisë: E domosdoshme, Serbia po shkel marrëveshjen

Ministri i Tregtisë dhe Indrustrisë në Kosovë, Endrit Shala

Ministri i Tregtisë dhe Indrustrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala deklaroi se vendosja e taksës doganore prej 10 për qind për mallrat importuese nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ka qenë masë e domosdoshme.

Ndonëse nuk ka një afat të caktuar se sa do të zgjasë, Shala u shpreh për Radion Evropa e Lirë se kjo masë ka qenë tejet e nevojshme pasi Serbia po i shkel në vazhdimësi marrëveshjet rajonale.

Sipas “Telegraf”, Shala tha se shumica e artikujve të importuar nga Seria dhe Bosnja kanë ardhur në Kosovë me çmim më të lirë se në tregun e tyre.

“Siç e parasheh marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka tentuar në shumë raste që të kontaktojë për këtë çështje me dikasteret përkatëse në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Dhe, asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje për to. Me qëllim të mbrojtjes së ekonomisë vendore, prodhimeve vendore, ka qenë e domosdoshme marrja e një mase të tillë”, citon “Telegraf” Shalën, i cili sipas saj thekson më tutje se shteti i Serbisë nuk i lejon transportuesit e Kosovës as që të kalojnë transit nëpër Serbi.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani nuk është vërejtur ndonjë ndryshim në importin e produkteve të këtyre shteteve në territorin e Kosovës. “Nuk kemi vërejtur ndonjë ulje ose çështje tjetër në aspekt të rënies, ose ngritjes së importit. Sidoqoftë, është shumë herët, nevojiten deri në 10 ditë që të shihen efektet e masës.”

Qeveria e Kosovës e vendosi në funksion masën e sipërpërmendur të martën. Ajo është mirëpritur nga përfaqësuesit e komuniteteve të bizneseve, ndërkohë që, reagime të ashpra kundër kësaj mase ka patur në Beograd dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Bashkimi Evropian nuk qëndroi indiferent në këtë aspekt, duke u shprehur e shqetësuar se po shkelet CEFTA (Marrëveshje e krijuar nga BE, me qëllimin për të lehtësuar këmbimet tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor).

a.s.
Komento