POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Urdhri i AKEP-it: Të mbyllen të gjitha adresat që ofrojnë baste on-line (Lista me 476 website)

TIRANE-Pas mbylljes së pikave të basteve nga data 1 janar e këtij viti, institucionet shqiptare po vijojnë punën për të bllokuar aksesin nga Shqipëria për të gjitha kompanitë e huaja që ofrojnë baste on-line.

Menjëherë sapo listat janë dërguar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka urdhëruar kompanitë që ofrojnë shërbim interneti në Shqipëri të mbyllin 476 website që ofrojnë lojëra fati on-line.

Pra për të gjitha kompanitë e huaja që ofrojnë baste on-line nuk do të lejohet aksesi nga Shqipëria, ndërsa faqet shqiptare mbyllen përfundimisht. Deri tani janë bllokuar vetëm disa nga faqet që janë pjesë e listës së gjatë.

Ndërkohë që në terren vijon aksioni i policisë për të bllokuar cdo aktivitet lojërash fati. Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 2 raste dhe konkretisht në Tiranë dhe në Klos të Burrelit, njofton policia, ku ushtrohej aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit edhe pse ka hyrë në fuqi ligji që i ndalon ato prej 1 janarit 2019. Brenda lokaleve të tyre janë sekuestruar njësi kompjuterike, televizorë dhe pajisje elektronike të cilat shërbenin për vendosjen e skedinave(lexo këtu).

Tre listat me faqet që janë urdhëruar të bllokohen 
AMLF - Lista datë 04.01.2019 – Faqet web që duhen bllokuar
AMLF - Lista datë 07.01.2019 – Faqet web që duhen bllokuar
AMLF - Lista datë 10.01.2019 – Faqet web që duhen bllokuar
 

NJOFTIMI I PLOTË NGA AKEP-i
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në cilësinë e organit rregullator në fushën e komunikimeve elektronike, në ushtrim të kompetencave ligjore për mbikqyrjen, monitorimin dhe kontrollin e veprimtarisë së sipërmarrësve të rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike, në përmbushje të qëllimeve dhe objektivave rregullatore të përcaktuar në Ligjin Nr.9918, datë 19.05.2008, “Për komunikimet elektronike në RSH”, i ndryshuar, dhe aktet e tjera nënligjore të nxjerrë në zbatim të tij, ka administruar nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit (AMLF) pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shkresat zyrtare:

1.Nr. 20 prot. (i MFE) datë 04.01.2019 (Nr. 11 Prot. i AKEP datë 04.01.2019)
2. Nr. 43 prot. (i MFE) datë 07.01.2019 (Nr. 33 Prot. i AKEP datë 08.01.2019)
3. Nr. 81 prot. (i MFE) datë 10.01.2019 (Nr. 43 prot. i AKEP datë 10.01.2019)

nëpërmjet të cilave janë përcjellë tre lista faqesh interneti me anën e të cilave ushtrohet veprimtari në shkelje të Ligjit nr. 155/2015 “Për lojrat e fatit në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar me Ligjin nr. 75/2018 datë 09.11.2018.

Referuar gërmës e) të nenit 15 të Ligjit Nr.9918 datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar si dhe gërmës e), pika 1, e nenit 9 dhe pika 9 e Aneksit E të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë rigorozisht detyrimin ligjor për të marrë masat e duhura juridike dhe teknike për kufizimin e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme.

AKEP me shkresat Nr. 11/1 prot. datë 04.01.2019, Nr. 33/1 prot.  datë 08.01.2019 dhe Nr. 43/1 prot.  datë 11.01.2019 ka njoftuar zyrtarisht të gjitha sipërmarrësit që ofrojnë shërbimin internet (ISP) për bllokimin e aksesit për të gjitha faqet web të dërguara nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit (AMLF). Çdo sipërmarrës pas marrjes së njoftimit nga AKEP, është i detyruar të veprojë menjëherë për ndërprerjen dhe bllokimin e transmetimit me përmbajtje të paligjshme, si dhe të njoftojë AKEP-in për mbylljen e aksesit të tyre.

Shënim:
Në listen e parë të AMLF datë 04.01.2019, gjendej dhe faqja https://www.webhost.al/domain/bet111.al
Në një njoftim datë 07.01.2018, AMLF ka saktësuar që kërkesa e tyre është për mbylljen e domainit bet111.al, ndërsa domaini webhost.al ti lejohet aksesi nga të gjitha ISP-të dhe konfirmon se faqja www.webhost.al  nuk kryen aktivitet Lojra Fati.

Sa më sipër, AKEP me shkresën nr. 11/10 prot. datë 08.01.2019, ju kërkoi ISP-ve:

1.        Lejimin e aksesit të menjëhershëm për domainin webhost.al
2.        Bllokimin e menjëhershëm të aksesit për domainin bet111.al

d.ba.
Komento

Komente

  • Xing: 14/01/2019 08:23

    Hajde don kishot se do I bllokosh me vitin 2225

    Përgjigju