TIRANE-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja kalon Vettingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi sot se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe verifikimeve që ka bërë ka vendosur që konfirmojë në detyrë njeriun më të lartë në kupolën e drejtësisë shqiptare.

Dedja nuk ndodhej i pranishëm në seancë, ndërsa përfaqësohej nga avokati Maks Haxhia. Avokati kishte paraqitur dy kërkesa, por që nuk u morën parasysh. Megjithatë në fund, pavarësisht kërkesave që nuk u morën në konsideratë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi që ta konfirmojë.

Pas përfundimit të seancës së parë në adresë të komisionit erdhën dy kërkesa, që komisioni ka vendosur të mos i marrë në konsideratë. Trupa shqyrtoi të gjithë dokumentacionin, dëgjoi zotin Haxhia dhe vendosi me shumicë votash që të konfirmojë në detyrë Zotin Bashkim Dedja.

Trupa gjykuese e Vettingut

Trupa gjykuese përbëhej nga Valbona Sanxhaktari dhe anëtarë Roland Ilia dhe Xhensila Pine. Dedja është gjyqtar që prej vitit 1993, dhe drejton Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2012. Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha janë të vetmit nga Gjykata Kushtetuese që kanë kaluar me sukses procesin e Vettingut.

Më parë nga Gjykata Kushtetuese u shkarkuan për mosjustifikim të pasurive, anëtarët Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha, ndërsa ka dhënë dorëheqje Besnik Imeraj përpara nisjes së procesit. Ndërsa i fundit që ka mbetur pa kaluar në "filtra" është Gani Dizdari.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit për shkak të vakancës, por kjo nuk e ka penguar KPK-në të vijojë me Vettingun në radhët më të larta të gjyqësorit. Funksionimi i Kushtetues është i paralizuar prej një kohe të gjatë.

Dyshimet që ngriti në seancën e kaluar KPK për Bashkim Dedjen
Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit deklaroi seancën e kaluar në datë 8 qershor se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese rezulton me probleme në justifikimin e pasurisë së tij, edhe pse DSIK dhe KLD kanë deklaruar se ai plotëson kriteret e pastërtisë së figurës dhe aftësimit profesional.KPK hetoi pasurinë e tij dhe deklaroi se 3 apartamente të cilat përdor Bashkim Dedja ishin me burime të dyshimta e të pajustifikuara. Prona e parë e dyshimtë ishte një apartament në Tiranë me sipërfaqe 146 metër katror dhe një garazh 15 metra katrorë, me vlerë 180 mijë euro.

Dedja kishte deklaruar se 120 mijë euro i kishte marrë kredi për 20 vjet, ndërsa 35 mijë euro të tjera i kishte kursime ndër vite të tijat dhe bashkëshortes. 25 mijë eurot e tjera Bashkim Dedja kishte deklaruar se ja kishte marrë hua vëllait dhe kunatit.Por, KPK verifikoi se në datën e huamarrjes nga kunati deklaruar në aktin noterial, kunati nuk ka qenë fare në Shqipëri. Më pas Dedja ndryshoi deklarim duke thënë se 10 mijë euro i kishte marrë nga babai i kunatit, por KPK verifikoi paaftësinë paguese të kunatit për të dhuruar para.

Sa i takon 15 mijë eurove të tjera që gjyqtari Kushtetues deklaroi se i kishte marrë hua nga vëllai, KPK verifikoi dhe deklaroi se i vëllai që jeton në Greqi prej vitesh nuk kishte aftësi paguese, pasi në kohën kur pretendohet t’i ketë dhënë hua 15 mijë euro vëllait gjyqtar, vetë ka blerë një shtëpi 40 mijë euro me kredi. Pikërisht në këtë pikë u bë debati më i madh, por avokati deklaroi sot pas vendimit se vëllai i Bashkimit, Mensuri, e ka vënë një apartament si kolateral për nipin e tij në bankë, duke dëshmuar sipas tij se ka pasuri. Por kjo nuk ishte banesa e vetme problematike sipas KPK. Në vitin 2003 Dedaj ka deklaruar blerjen e një tjetër banese në Tiranë, ku zotëronte gjysmën e saj, ndërsa më pas ka deklaruar se është pronar i saj 100%, pa treguar burimin e të ardhurave.

Ndërkohë, dyshime për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ngjalli dhe një banesë në Golem, ku Dedja ka deklaruar se e ka në përdorim, por është pronë e vëllait tjetër që jeton në Dibër.  Por KPK verifikoi dhe deklaroi se kontrata e energjisë elektrike është paguar vetëm nga Bashkim Dedja nga dita e parë e deri më sot, duke ngjallur dyshime se kjo pronë mund të jetë e vetë gjykatësit, dhe jo e vëllait të tij që jeton në Dibër.  Megjithatë të gjitha dyshimet që ngriti seancën e kaluar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, po vetë i rrëzoi duke konfirmuar në detyrë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Bashkim Dedja.