Ylli që ndriçoi shqiptarinë

Ylli që ndriçoi shqiptarinë
Edhe dielli, edhe toka, edhe resurset më të mëdha që përshkojnë jetën, pra çdo gjë, sipas shqiptarëve duhet të sillet rreth saj. Dhe jo më kot. Ajo i meriton të gjitha këto. Na dhuroi atë që pakkush ka arritur ta bëjë, sidomos në këto vitet e fundit. Të gjithë sot duhet të shkrihemi pas saj; shtypi i ditës, mediet, njerëzit dhe mbarë shqiptarët në epiqendër të tyre duhet të kenë vajzën, e cila i bëri të ndihen krenar, por jo vetëm, pasi me suksesin e saj përmirësoi ndjeshëm imazhin e Shqipërisë.

Elhaida Dani është fituesja e “The Voice of Italy”. Pas një mbrëmjeje fantastike, ajo arriti të marrë 71,70% të votave të publikut. Dhe në fund, ky “diamant” i Cocciante-s, kjo perlë shqiptare, me thjeshtësinë e saj në italisht e shqip si margaritar mirënjohës lëshoi nga goja fjalët magjike “Grazie Italia! Faleminderit!”. Kujtojmë se ky thesar i çmuar më 2009-n ka fituar edicionin “Star Accademy” dhe në 2012-n ka zënë vendin e parë në “Top Fest”. Po në të njëjtin vit triumfoi edhe në Rumani, në festivalin ndërkombëtar të muzikës pop.
 
NEC PLUS ULTRA

“Njerëzit që shprehin në veprat e tyre aq gjëra të bukura s’para e përfillin bisedën, se kjo u ngushton dhe u varfëron mendjen”, thotë Balzak. Kështu edhe Elhaida fjalëpakë, e ëmbël dhe plot hijeshim duket sikur gjithçka e ka shkrirë në veprat e saj, në artin e pashmangshëm të një muzike madhështore. Shpirti dhe ndjenjat më të thella të saj rrëkëllehen së toku në një vallëzim të pandalshëm për të rrokur zërin, i cili vërshon i gjithi nën timbrat e kulluar përmes kësaj amazone shqiptare.

Një Fernard Kortez i muzikës u nis drejt Italisë veçse për të provuar vetveten, e për të arritur maksimumi deri në natën finale, porse të shastiste edhe vendësit, sa ishte ëndërr për të, aq s’parashikohej dot nga asnjë shqiptarë. Po të gjithë kthyen sytë e shpresës drejt asaj, si Oresti nga furitë. Kështu ka ndodhur rëndom, pasi natyra jonë provinciale rreket të myk mendimet e talentet më të përsosura (provincialët e kanë zakon të pengojnë pasionet e lindura), duke mos i lënë për asnjë çast të “pushtojnë” shoqërinë tonë, që veçse do ta zbukuronin dhe hijeshonin sa më s’ka.

A nuk i thotë zonja Dë Barzhëton të dashurit Lysjen se “as nderet, as lavdia nuk vijnë ta kërkojnë vetë talentin, që venitet në një qytet të vogël”! Dhe tani, që u desh largimi i një ylli drejt qiellit italian, shkëndijat rrëzëllejnë botën shqiptare, që me të drejtë krenohet për zërin melodioz të saj.
 
NGADHËNJEN ELHAIDA, VEZULLON SHQIPTARIA

Në sytë e të huajve ky popull në mes të Ballkanit, hem nuk njihet as në hartë, hem dinë pakogjë, hem i dinë për kriminelë e mafiozë. Veç ata që kanë kërkuar dhe hyrë në labirintet e tij, kanë arritur të formësojnë idenë se përpos njohjes globale, ka edhe një shëmbëlltyrë tjetër, atë ku shqiptarët janë të besës, mikpritës, punëtorë dhe të talentuar.

Mirëpo në kapërcyellin e shekullit XX, shumica e atyre që zgjodhën të ndërtojnë jetën e tyre jashtë trevave shqiptare u ndeshën pikërisht me këtë fenomen negativ, diku të paragjykuar me pa të drejtë, e diku të faktuar katërcipërisht si të tillë. Me kalimin e viteve, kur botëkuptimi u përmirësua dhe ndjenjat shkrydhëse u stabilizuan, disa shqiptarë arritën të çanin “muret e izolimit” dhe ta përfaqësonin denjësisht kombin tonë.

Kadareja vijon të jetë si të thuash prijësi kryesor, Nënë Tereza bamirëse e papërsëdytshme e sa e sa të tjerë në fusha të ndryshme, ku p.sh. identifikimi i Shqipërisë përmes futbollit vjen me Lorik Canën. Mirëpo një shqiptare e lindur dhe e rritur në atë Shkodrën e bukur lozonjare, pa pritur e pa menduar, hipur mbi pajtonin e zonjave të rënda pariziane, u lëshua pa fre drejt e si shigjetë për t’u ndalur në Itali, atje ku askush s’e njihte, e të gjithë i bëri për vete sa hap e mbyll sytë.

Pa fjalë, Elhaida Dani përmirësoi kreditet e Shqipërisë; e rriti në sytë e qytetërimit; i dha sharmin e duhur; e ledhatoi me dhembshuri; në fund bëri ç’mos t’i jepte edhe dufin e dashurisë së saj për muzikën, duke ngritur në piedestal atë vetë pikë së pari, pastaj gjithë shqiptarët anembanë globit, me këtë të fundit që rrotullohet, qoftë dhe përkohësisht, rreth rubinit tonë, Elhaida Dani.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Vangjeli: Edhe Rama do ta votonte Gazmend Bardhin për kryetar të PD

Vangjeli: Edhe Rama do ta votonte Gazmend Bardhin për kryetar të PD