Zbulohet porositësi i vrasjes së ish-komisarit Artan Cuku, dyshohet se fshihet në Greqi

Një vit pas vrasjes së ish-komisarit Artan Cuku, është zbuluar porositësi i krimit që tronditi kryeqytetin. Ekzekutori i Cukut te "Rruga e Kosovarëve" ka qenë Mikel Shallari, i cili është paguar nga Bledar Jambelli ose siç njihet ndryshe si Rikardo Muho, një personazh i njohur i botës së krimit, i akuzuar për disa ngjarje kriminale në qytetin e Vlorës, pas përplasjeve mes bandave. 

Report Tv mësoi se Shallari ka rrëfyer emrin e porositësit që në momentin e arrestimit, por Prokuroria ka mbajtur sekret dëshminë e tij për efekt të hetimeve, ndërsa kërkimet për Jambellin vijojnë prej disa muajsh. Porositësi nuk ndodhet në territorin shqiptar, ndërsa dyshohet se fshihet në shtetin grek. 

Hetuesit e krimeve e lidhin këtë ngjarje me një arrestim që Drejtoria e Policisë Vlorë ka bërë në vitin 2012 kohë në të cilën ajo drejtohej nga Cuku. Asokohe operacioni i drejtuar nga vetë Cuku çoi në pranga Bledar Jambellin (Rikardo Muho).

Arrestimi i Jambellit asokohe u bë për llogari të hetimit se ai ishte personi që kishte vrarë Shpëtim Mukën dhe Ervis Shehun në vitin 2006 në vendin e quajtur Pus-Mezini në Vlorë. Ndërsa në shtator 2012 ai akuzohej si vrasës i 27-vjeçari Amarildo Delaj në ambientet e lokalit të tij, ku të plagosur kanë mbetur edhe dy klientë. 

Ngjarjet kanë qenë rrjedhojë e prishjes së pazareve të drogës që nga Spanja të cilat kanë sjellë një zinxhirë krimesh të përgjakshme në qytetin bregdetar. Edhe pse u arrestua në dhjetor 2012 si i përfshirë në tre vrasje, pak vite më vonë Jambelli arriti t’ia hedhë drejtësisë dhe prej asokohe është në liri. 

Jo zyrtarisht burimet sqaruan se Shallari është njohur me Jambellin gjatë kohës së qëndrimit jashtë vendit dhe kontaktet e tyre të para i kanë pasur në një burg të Zvicrës, nga ku dhe u zbulua ADN-ja e të riut gjatë hetimit për vrasjen.

Për këtë arsye krimet e rënda në përfundimin e hetimeve kanë nxjerrë dhe urdhër arrestin ndërkombëtar ndaj Jambellit si personi që porositi vrasjen e ish-kryepolicit si hakmarrje për arrestimin nga Cuku në vitin 2012.



Dosja që rihapi Artan Cuku 
Në dhjetor 2012 u arrestua Bledar Jambelli, lindur dhe banues në Mbrostar të Fierit, si i dyshuar për vrasjen e Shpëtim Mukës, Ervis Shehut, dhe plagosjen e Edvin Zanajt. Prokuroria e Vlorës kishte pezulluar procedimin penal për moszbulim të autorëve, por dosja u rihap nga Artan Cuku.

Në fakt bëhej fjalë për një konflikt të nisur në 1997 dhe të vijuar edhe në Spanjë ku kanë ndodhur disa vrasje mes grupeve kriminale. Për këtë ngjarje është arrestuar edhe Armando Zanaj, i cili ka vrarë nënën e Sokol Ramës, njërit prej drejtuesve të bandave rivale. Ishte pikërisht hapja e kësaj dosje, njëra prej pistave kryesore që dyshonte Policia se mund të kishte lidhje me vrasjen e Artan Cukut. 

Artan Cuku u vra mbrëmjen e 8 prillit 2017 në “Rrugën e Kosovarëve” në Tiranë, pranë apartamentit ku banonte. Ai ishte duke shkuar për në banesën e tij, kur një person i ka zënë pritë, ndërkohë që një tjetër ishte pas tij. Nga hetimet rezultoi se autori ishte Mikel Shallari, një 22-vjeçar nga Kuçova, i cili u zbulua nga analiza e ADN-së në një bluzë që hodhi në kazanin e mbeturinave pas krimit. Pikërisht dëshmia e Shallarit ka qenë mjaft e vlefshme për policinë dhe prokurorinë, pasi autori ka rrëfyer emrin e porositësit të krimit, Bledar Jambelli.  

Ora 14:29
E shkuara kriminale/Kush është Bledar Jambelli, porositësi i vrasjes të Artan Cukut

Bledar Jambelli, i dyshuar si porositës i vrasjes së ish-komisarit Artan Cuku, është arrestuar 6 vite më parë si i përfshirë në tre vrasje. Ka qenë vetë Cuku i cili në cilësinë e drejtorit të Policisë së Vlorës, ka rihapur hetimet për dosjet e vjetra dhe çoi në pranga në dhjetor 2012, Bledar Jambellin atëherë 32-vjeç.  

Historiku i krimeve ku ka qenë i përfshirë Bledar Jambelli ka nisur në Spanjë në vitin 2006 pas prishjes së pazareve të drogës. 

Në atë kohë, Sokol Rama u dyshua si autor i vrasjes së Niko Delajt, xhaxhait të Amarildo Delajt, i vrarë në qershor 2012 në Vlorë, ndërsa Bledar Jambelli dyshohej bashkëpunëtor në krim. Rama u kap nga autoritetet spanjolle për vrasjen e dyfishtë, por për mungesë provash u la nën masën “detyrim paraqitjeje”. 

Dy muaj më vonë, nëntor 2006, u vra e ëma e Sokol Ramës për hakmarrje. Autorësinë e krimit e mori përsipër vëllai i Slejdi Zanajt. Daja i vëllezërve Zanaj u qëllua për vdekje në dhjetor të vitit 2006. Edvin Zanaj, i plagosur në këtë kohë, u ekzekutua një vit më vonë në Tiranë.

Në këto raste u dyshua se ekzekutori ishte Sokol Rama, por në skenë doli edhe 32-vjeçari Jambelli si i përfshirë. Jambelli u arrestua në dhjetor 2012 në Aeroportin e Rinasit në tentativë për t’u larguar jashtë shtetit. Dosja për zbardhjen e krimeve dhe arrestimin e autorit të dyshuar të dy vrasjeve, Bledar Jambelli, u kryesua nga ish-drejtori i policisë së Vlorës, Artan Cuku. 

21 vite nga atentatet që krijuan hasmëritë në Spanjë sërish risjellin emrin e Bledar Jambellit i cili fitoi lirinë nga drejtësia dhe dyshohet se kontaktoi Mikel Shallarin për të vrarë Artan Cukun. Pak ditë më parë krimet e rënda kën kërkuar nga policia dhe Interpol arrestimin e Jambellit çka do të sillte dhe zbardhjen e një zinxhiri vrasjesh të nisura në 1997 mes grupeve rivale rikthyer më pas në 2012 për të përfunduar në vrasjen e kryepolicit që hetoi grupet kriminale më 8 prill 2017.

Ora 15:45
‘Porositësi’, Artan Cuku e arrestoi për vrasje të dyfishtë, gjykatat e liruan

I dyshuari si porositës i vrasjes së Artan Cukut u arrestua në vitin 2012 nga komisari i vrarë nën akuzën e vrasjes së dyfishtë. Por Bledar Jambelli u lirua nga gjykata si i pafajshëm. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta zbardh vendimet e lirimit të Jambellit që nga Gjykata e Vlorës e deri në mospranimin e rekursit nga Gjykata e Lartë.

Tre vendimet e drejtësisë që i dhanë pafajësi Jambellit
Më Dhjetor 2012 ishte arrestuar nga policia e Vlorës.

Më 9 Qershor 2014 është liruar nga burgu i sigurisë së lartë Rrogozhinë ku mbahej prej 7 Janarit 2013.

U akuzua për vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, më 9 qershor 2014 gjykata e Vlorës pafajësi për Bledar Jambellin.

Më 1 Prill 2015 gjykata e apelit në Vlorë ka vendosur lënien në fuqi të pafajësisë së fituar nga shkalla e parë në 2014.

Më 3 dhjetor 2015 gjykata e Lartë me Shkëlzen Selimin ka vendosur të mos pranojë rekursin e prokurorisë për pafajësinë e fituar nga Jambelli.



Vendimet e Gjykatës së Apelit të Vlorës për Jambellin

Pamjet nga operacioni i arrestimit te Bledar Jambellit në 2012

l.q.
Komento

Komente

  • Lili: 25/04/2018 16:21

    Shkelzen selimi gjyqtar kryje i koruptuar...

    Përgjigju
  • Lili Caush Bitaj Vlore: 25/04/2018 16:13

    Te gjitha keto vrasje qe ndodhin jan ne bashkpunim me policin prokurorin deri ne gjykaten e larte dhe ate kushtetuese.ne rastin konkret te dy gjykatat e Vlores deri edhe Shkelzen Selimi ne gjykaten e larte i kane dhene te drejte kriminelit sepse jane mesuar sebashku me familjet e tyre te degjeneruara te ndertojne ekonomine e tyre lluksoze nga perfitimi mbi gjakun e derdhur te djemve te nenave nepere rruget e Vlores dhe gjith shqiperis.pra keta kriminel te veshure dhe te paguar nga shteti pere te vendosure drejtesi duhet te pergjigjen rende penalisht si bashkepunetore te kriminelave qe ne baze tegarancis qe keta ju japin ndajne edhe leket e krimit me ta.keto gjera duhet te shikoje ne radhe te pare Vetingu pastaj te meret me pasurit e tyre.e thene troç te kontrollohen vendimet e mara nga keta kriminela prokurore dhe gjyqtare...

    Përgjigju
  • Marga: 24/04/2018 21:19

    http://www.gjykataelarte.gov.al/gjl_ceshtje_detaje.php?caseId_sel=2015-04312&ln=Lng1&uni=20180424211741217211452338040651

    Përgjigju
  • Fredi: 24/04/2018 17:43

    K/Komisarin nuk e paska vrare ky fshatari i Kozares por e paska vrare drejtesia e degjeneruar. Tek ata gjyqtare dhe prokurore duhet ta kerkojne gjakun familjaret e K/Komisar Cukut! Ketij dorezit nga Kozara uk i duhet mbrojtur familja, le te rrije ne burg me frike ne zemer per te motren dhe te jemen.

    Përgjigju
  • toni: 24/04/2018 15:20

    Cojeni lajmin dhe informacionin deri ne fund, klikoni dhe kerkoni edhe pak me teper si kur dhe nga kush u lirua i siperpermenduri

    Përgjigju
  • Edi: 24/04/2018 15:18

    Si ja paska hedhur drejtesise nje super kriminel dhe ndersa fshataret e thjeshte bejne vite burg per nje tel dritash.

    Përgjigju