TIRANE - Dy aksidente në punë janë shënuar mesditën e sotme në kryeqytet ku dy punëtorë ndërtimi kanë mbetur të lënduar rëndë dhe janë duke u trajtuar në Spitalin Ushtarak.

Aksidentet janë shënuar përkatësisht në një pallat në ndërtim në Yzberisht të Tiranës dhe në lagjen e Saukut ku gjatë ndërtimit të një shtëpie punëtori Hamdi Gega 45 vjeç ka humbur kontrollin duke rënë nga skela në dysheme.

Ende nuk është identifikuar punëtori i cili ra në pallatin në ndërtim në zonën e Yzberishtit, ndërsa policia e mbërritur në vendngjarje është duke punuar për hetimin e shkaqeve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Aktualisht janë marrë në pyetje dëshmitar si dhe po punohet për të parë nëse gjatë punës janë respektuar kushtet e sigurimit teknik të cilat mund të shmangin aksidentet të cilat fatmirësisht nuk kanë pasur dëme fatale.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)