Lidhur me rastin e tre të miturve në Durrës, sociologu Gëzim Tushi thotë në "Studio Live" në Report TV se nuk e shqetëson niveli i masave të marra. Ai thotë se problemi është reagimi pasi ka ndodhur ngjarja.

Sipas sociologut, prindërit, pavarësisht divorcit, nuk mund të justifikohen për gjendjen dhe mjedisin ku janë gjendur fëmijët.

"Problemi është që pse në të gjitha rastet ne reagojmë post-faktum sepse ngjarja që ka ndodhur në durrës mund të mos jetë ngjarja e vetme. Në shoqërinë shqiptare janë dy kategori që rrezikohen më shumë nga pikëpamja sociale. Fëmijët janë viktimat e abuzimit dhe në këtë rast kemi 3 fëmijë që janë viktima të abuzimit të faktorit biologjik që kanë të bëjnë me familje të destrukturuar, ku ambalazhet e përdorura për ta justifikuar atë gjendje katastrofike të fëmijëve janë të pamjaftueshme. Nuk mund të justifikohen prindërit, nëna në këtë rast, por edhe babai në distancë sepse edhe pse janë të divorcuar si bashkëshortë, janë prindër dhe kanë përgjegjësi, por që të shikosh një gjendje të tillë të fëmijëve, si në një kamp përqendrimi apo të braktisur në mënyrë ekstremale ku nuk plotësohen asnjë nga kushtet, një lloj habitati aspak human, por degradues për fëmijën, vetëm ambienti që i pamë është jashtzakonisht destruktiv", u shpreh sociologu.

Duke rënë dakord me mendimin e psikologes, Jonida Ponarit se ngjarje të tilla tronditin themelet e fëmijëve, Tushi theksoi se "është e domosdoshme që të bëjmë diagnostikim më të përgjithshëm sesa rasti i Durrësit."

"Institucionet sociale duhet të njohin hartën e nevojave që fëmijët kanë sepse nuk janë vetëm ata 3 fëmijë në Durrës apo në qytete të tjera. Kjo kërkon një lloj vlerësimi. Janë ngritur shumë struktura, janë ndërmarrë shumë reforma, janë ndërtuar shumë standarde për t'i mbrojtur fëmijët nga abuzimi seksual, fizik, verbal dhe të gjitha format, janë bërë ndryshime decentralizuese që kanë rritur përgjegjësinë dhe rolin e pushtetit vendor, por kjo reformë akoma nuk ka arritur synimin e saj për të ndërtuar stuktura lokale të shërbimeve sociale, të diagnostikimit të personalizuar të nevojave që kanë fëmijët e komunitetit. Pushteti vendor e lokal merret me çdo gjë, por ju garantoj se nëse u kërkoni të dinë në formë kapilare të dinë nevojat që kanë fëmijët me status të dobët në rajonin e territorin, do të jenë përgjigje evazive.  Angazhimi në këtë rast është vërtet alarmant", tha ai.

Sa për nënën, sociologu tha se argumenti i saj për ndërhyrje në jetën private është i papranueshëm dhe rrëzohet sipas parimit për të mbrojtur fëmijët, i cili s'ka kufi. Ai e gjykoi të drejtë veprimin e ish-vjehrrës së nënës së fëmijëve dhe tha se kjo e fundit duhet ta shohë problemin te vetja.

"Protesta e saj se është prekur jeta private dhe është ndërhyrë në jetën e familjes së saj, është e papanueshme. Ka një parim universal: të drejtat e fëmijëve prevalojnë mbi gjithçka dhe për të mbrojtur fëmijët nuk ka asnjë kufi që nuk mund të shkelet. Në atë shtëpi, në atë gjendje, pavarësisht qëllimit që mund të ketë pasur vjehrra, çfarë ambalazhi mund të përdorë ajo, në atë gjendje katastrofike ka bërë gjënë e duhur. Çfarë do të ndodhte nëse këta fëmijë do të ishin në atë gjendje të braktisur dhe do të mbijetonin në atë gjendje mizerabël dhe të prekur nga një lloj sëmundjeje perverse që shoqëria shqiptare e ka kapërcyer me dekada përpara? Ajo duhet të shikojë problemin te vetja. Mund të ketë pasur kërkesa e nevoja, mund të ketë kushte të vështira, merr 400 mijë lekë të vjetra dhe 300 mijë paguan, por me një lloj prepotence thotë nuk i çoj në Shtëpinë e Fëmijëve. kush je ti moj zonjë? Fëmijët nuk janë prona jote, janë të tutë, por nëse ti nuk ke kujdesin e duhur, ka një kujdestar më të madh dhe ky është shteti social i cili e ka për detyrë të marrë në mbrojtje fëmijët e tu dhe t'u gjejë zgjidhje", tha Tushi.