TIRANE - Studentja Mirela Ruko, që sulmoi me salcë ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, është përballur me vështirësi të shumta në jetë, dhe ndjekja e universitetit ka qenë një sakrificë e madhe për familjen e saj të varfër.

Studentja nga një fshat i Fierit ka rrëfyer historinë e saj për emisionin “Zoom” në InTv,ku tha se prindërit u detyruan të merrnin borxh që ajo të ndiqte ëndrrën e saj për të vijuar studimet e larta. 24-vjeçarja tha se kishte mbërritur në Tiranë vetëm me 50 mijë lekë të vjetra në xhep, ndërsa shpesh shoqet e kishin ndihmuar edhe me ushqime.

"Babai im ka punuar në një punë pa siguracione. Tani ka probleme fizike dhe nuk mundet të punojë.  Mami im kujdeset për të. Duke qenë se nuk ka patur siguracione, ai nuk mundet të marrë as ndihmë ekonomike as asistencë. janë dy prindër pa punë, kanë tre fëmijë në shkollë. kam një vëlla në klasë të shtatë, kam një motër që vazhdon gjithashtu studimet në Universitetin e Tiranës. Kur unë kam patur maturën shtetërore, prindërit më thanë se e kishin të pamundur nga ana ekonomike që unë të vazhdoja studimet. Unë mësoja për provimet dhe qaja njëkohësisht, por gjithsesi thosha që unë do vazhdoj. Kur fitova shkollën prindërit e mi më thanë që kishin marrë lekë borxh që unë të vazhdoj studimet universitare.

Unë ja u kisha bërë të ditur prindërve që nëse nuk gjenin mundësi do të largohesha nga shtëpia, për të gjetur një mënyrë se si të vazhdoja shkollën e lartë. Në vit të parë erdha në shkollë, e kisha ndarë mendjen që duhet të punoja, një vajzë e cila vinte nga një fshat i Fierit, përballë një Tirane kaotike, nuk e kuptoja, nuk dija rrugët. Duhet të gjeja punë, por nuk kisha mbështetje. jetoja me disa shoqe gjimnazi në një shtëpi. Nuk kisha para për të paguar konviktin. Kam ardhur me 50 mijë lekë të vjetra në xhep në Tiranë. Shoqet e mia më kanë ndihmuar me ushqime. Kam një falenderim për to.”- është shprehur Mirela.

24-vjeçarja Mirela Ruko ka mbaruar vetëm 3 vite bachelor dhe tashmë po punon për të mbledhur paratë, pasi nuk i ka 200 mijë lekë të reja, për të paguar tarifën për studimet master.

(er.nu/shqiptarja.com)