Një konsumator në Pragë së shpejti do të mund të shijojë një Coca-Cola duke ditur se është e përbërë nga të njejtët ingredientë si Coca-Cola i shitur në raftet e Berlinit.
Një fitore për qeveritë e Evropës Qëndrore dhe Lindore, ku negociuesit e BE-së luftuan dhe ranë dakord për legjislacionin e ushqimeve të ashtuquajtura «me cilësi të dyfishtë»; pra ushqime të cilat shiten me paketim dhe etiketim identik, por me ingredientë që ndryshojnë sipas tregjeve ku shiten. Vendet e Evropës Qëndrore dhe Lindore kanë kërkuar vazhdimisht për ligje që adresojnë këtë çështje, e cila sipas tyre, rezulton në importimin e produkteve më inferiore se ato të gjetura në Perëndim.
Sipas rregullave të reja që u arritën të mërkurën dhe u pasuan nga diskutime të natyrës teknike të premten, çdo produkt (qofshin kanoçe Coca-Cola, shampo Head & Shoulders, etj) do të përmbajë të njejtët ingredientë, me përjashtime të rralla. Praktikat e tregtimit të ushqimeve me cilësi të dyfishtë do të konsiderohen si praktika të padrejta tregtare dhe kompanitë do të penalizohen për shkeljen e ligjit me deri në 4% të xhiros së tyre vjetore.
«Është hera e parë që ky problem po pranohet dhe po njihet,» tha një nga Komisionerët.
Këto rregulla të reja, që janë pjesë e një reforme më të gjerë të legjislacionit për konsumatorin, vijnë pas disa vitesh lobim të fortë nga ana e shteteve nga ish blloku lindor dhe pavarësisht rezistencës nga ata në Perëndim që vënë në dyshim nevojën për legjislacion të ri.
Sipas rregullave të reja, shijet dhe preferencat e konsumatorëve nuk do të konsiderohen më si pretekst për shitjen e produkteve me cilësi të ndryshme.
Mbështetësit e rregullave me qëllim parandalimin e shitjes së produkteve me cilësi të dyfishta shpesh përdorin studime si ai i vitit 2015 që tregonte se, për shembull, filetot e peshkut Iglo përmbajnë 7% më pak peshk në tregjet çeke sesa në tregjet gjermane. Një shembull tjetër tregonte se Sprite i shitur në Çeki përmbante më shumë aspartame sesa në Gjermani, ku Coca-Cola shiste një version të freskueses me më shumë sasi sheqeri të vërtetë.
Draft i ligjislacionit i përshkruan produktet me cilësi të dyfishtë si «me përbërje dhe karakteristika që ndryshojnë në nivele të konsiderueshëm», të cilët janë të ndaluar të tregtohen «me përjashtim kur është e justifikuar nga faktorë legjitim dhe objektivë». Shembuj të këtyre faktorëve mund të jenë mungesat e ingredientëve stinorë apo ligjet kombëtare (vendore) që synojnë kufizimin apo pakësimin e përfshirjes së sheqerit në pije dhe ushqime.
Prodhuesit janë shprehur prej kohësh se variacione të këtilla në ingrediente nuk përbëjnë diferencë në cilësinë e vetë produktit, dhe se çdo ndryshim vjen si pasojë e preferencave të konsumatorëve nëpër Evropë, si dhe e rregullave kombëtare «vendore» apo të rrethanave të ndryshme të prodhimit. Por, sipas rregullave të reja, shijet dhe preferencat e konsumatorëve nuk do të konsiderohen më si pretekst për shitjen e produkteve me cilësi të ndryshme.
Kompanitë që do të tregtojnë ushqime me cilësi të dyfishtë sipas përjashtimeve të aprovuara duhet të informojnë konsumatorët për ndryshimet e ingredientëve. Legjislacioni draft thotë se ky informacion duhet të dallohet lehtë në paketim, por nuk jep udhëzime specifike.
Teksti i legjislacionit ka ende vend për sqarime të mëtejshme: Sipas zyrtarëve që po ndjekin çështjen, mungon një përkufizim i përbashkët se çfarë përbën një ndryshim të «konsiderueshëm», si dhe nuk mundohet të krijojë një sistem sipas të cilit të krahasohen produktet. Për shembull, një Sprite në Çeki mund të përmbajë më shumë aspartame se një Sprite në Gjermani, ndërkohë që nivelet e ëmbëlsuesve në Sprite në Spanjë janë diku mes atyre çeke dhe gjermane.
Sidoqoftë, dy zyrtarë thanë se qëllimi nuk është të ndërtohet një tekst që mbulon çdo rast, por të trembur kompanitë dhe për të dekurajuar disa nga shkeljet më flagrante. «Tani mund të ushtrojmë presion të drejtpërdrejtë,» tha një zyrtar.
Shqyrtimi i rasteve individuale ku mund të ketë shkelje do të trajtohen nga autoritet vendore të mbrojtjes së konsumatorëve.
Ky tekst gjithashtu tregon qartë se Brukseli mund të vendosë kufizime të mëtejshme nëse praktikat abuzuese vazhdojnë.
Sipas këtij drafti ligjor, Brukseli do të monitorojë efektin e rregullave për dy vjet para se ta paraqesë pranë Parlamentit Evropian dhe atyre vendore. «Ky raport do të shoqërohet, sipas nevojës, nga një propozim ligjor,» thotë teksti.
Një zyrtar e paraqiti kompromisin si të domosdoshëm për arritjen e unitetit mes vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore me skeptikët perëndimorë, si Gjermania dhe Austria.
«Ishte një qëllim mjaft i vështirë për tu arritur,» tha një zyrtar.
Legjislacioni i ri duhet të marrë aprovimin e Parlamentit dhe Këshillit Evropian për tu finalizuar.