Kjo ditë është përcaktuar si një mundësi për të përkujtuar njerëzit që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje, si dhe për të vlerësuar përpjekjet e deritanishme për të luftuar këtë virus.
Në Ditën Botërore të HIV/AIDS, Organizata e Kombeve të Bashkuara apelon për zero infeksione të reja, zero diskriminim dhe zero vdekje nga virusi. Edhe pse është punuar shumë për të parandaluar dhe kontrolluar përhapjen e virusit, ende mbetet shumë për t'u bërë.
Vitin e kaluar në Shqipëri u raportuan rreth 671 persona të prekur me HIV, ku femrat zënë 30 % të rasteve.
Transmetimi seksual mbetet rruga kryesore e marrjes së këtij infeksioni (93% e rasteve). Transmetimi nga nëna tek fëmija zë 4% të rasteve dhe transmetimi nëpërmjet gjakut zë 3% të rasteve në total.
Nga ana tjetër, trajtimi i personave me HIV është një arritje. Që nga viti 2004 trajtimi me antiretroviral (ARV) ofrohet falas në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë. 50% e rasteve të diagnostikuara gjatë vitit 2012 u drejtuan tek qendrat e shërbimit shëndetësor në një stad të avancuar të infeksionit.
Testimi vazhdon të mbetet i ulët edhe pas ngritjes dhe funksionimit të qendrave të këshillimit dhe testimit vullnetar në rajone. Rasti i parë i infektuar me virusin HIV në Shqipëri është identifikuar në vitin 1993.
Ndërkohë, sipas një raporti të 2013 , sipas OKB-së evidentohet se numri i personave që jetojnë me virusin HIV në botë vazhdon të shtohet dhe i ka kaluar 40 milionë - niveli më i lartë deri më sot. Afrika nënsahariane mbetet rajoni më i prekur nga sëmundja e Sidës. Më tepër se 25 milionë njerëz atje jetojnë me virusin HIV.
Megjithatë në raportin e OKB-së thuhet se gjatë viteve të fundit, një numër gjithnjë e më i madh vendesh, përfshirë Kenian, Zimbabven dhe disa vende të Karaibeve kanë patur rënie në numrin e të infektuarve nga virusi HIV. Shtetet e Bashkuara po luajnë rolin kryesor për shtimin e numrit të atyre që mund të marrin ilaçe në vendet në zhvillim dhe për zgjerimin e programeve të parandalimit.
Rezultatet po arrihen nëpërmjet planit të emergjencës, ndërmarrë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Sidës. Në vitin 2003, Presidenti Bush shpalli një angazhim prej 15 miliardë dollarësh për luftën globale kundër virusit HIV dhe Sidës.
Në këtë program përfshihen 123 vende të botës me theks të veçantë 15 prej tyre që janë prekur më rëndë dhe që së bashku përbëjnë 50 për qind të numrit të përgjithshëm të të prekurve në botë.