Protestuesit kanë vijuar edhe sot marshimin në Tiranë. Mes tyre ndodhen edhe disa gjimnazistë të shkollës “Isa Boletini”, të cilët janë grumbulluar në sheshin 'Skenderbej', në qendër të kryeqytetit.
Në zonë është e pranishme edhe policia, e cila ka kryer kontrolle ndaj protestuesve për të verifikuar nëse mbanin me vete sende të paligjshme.
Ndërkohë, në disa mure dhe rrugë të Tiranës shihen mbishkrime, mes tyre edhe shprehja: “Ik, më të mirë po të them, o pizeveng”. Marshimi po vijon në kryeqytet, ku prania e forcave të rendit synon të mbajë situatën nën kontroll.
Një grup protestuesish në Lezhë dhe në Mirditë kanë bojkotuar edhe këtë të hënë mësimin, duke dalë në rrugët e qytetit. Ata po marshojnë me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen!”, ndërsa në terren janë angazhuar forca të shumta policie.
Gjatë marshimit, protestuesit në Lezhë kanë tentuar të futen në sheshin “Gjergj Kastrioti”, ku ndodhet edhe Bashkia, por janë penguar nga forcat e Policisë. Gjatë marshimit, disa prej tyre dëmtuan sinjalistikën rrugore dhe ndezën zjarre, duke përshkallëzuar tensionet.
Ndërkohë në Mirditë protesta është zhvendosur në Rrugën e Kombit në Rubik ku po protestojnë duke djegur goma në rrugë.






Komente
Komento