Në ditën ndërkombëtare të punëtoreve mungesa e tyre po ndihet çdo vit e më shumë. Kjo ka qenë në formë të përmbledhur analiza e bërë nga kreu i shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi në Report Tv.

I pyetur nga gazetari Nertil Agalliu, Topuzi thotë se ky vit do të jetë një sezon i mirë për turizmit por ngërçi do jetë tek fuqia punëtore.

“Është një vit që pritet të jetë më i mirë por ndoshta do ketë probleme për shërbimin sepse ka mungesë të fuqisë punëtore. Në fakt, problem i sezonit tek ne, 63% e turistëve vijnë në 5 muaj kurse 52% vijnë në 3 muajt e verës, krijojnë një problem madhor. Pas një pune me çdo lloj page atij punonjësit sezonal do i duhet të lëri atë punë dhe të nisë diçka tjetër.”- tha ai.

Kreu i shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Topuzi listoi edhe një sërë masash që ata vetë i kanë rekomanduar ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

“Disa nga zgjidhjet janë mobilizimi i nxënësve dhe studentëve për periudhën e verës, por duke marrë masa që sezoni të mbyllet më parë se në korrik. Në mënyre që pushimet e verës, të kalojnë në periudhën qershor-gusht. Duke qenë se shkollat profesionale nuk varen nga m e Arsimit por tek Ekonomia ja kemi adresuar ministres Ibrahimaj. Zgjatja e sezonit, subvencione për… e njëjta gjë që ndodh në botë.”- tha ai.

Topuzi komentoi edhe pezullimin e turistëve rusë në Shqipëri të cilën e cilësoi si jo pozitive pasi janë të shumtë.

“Në fakt, nuk është pozitive pasi tregu rus përbën 30 mijë turistë. Problemi është se ne  nuk kemi pse bëhemi më katolikë se papa se unë e shoh si mbështetje që nuk është në të gjithë vendet njëlloj.”- tha ai.