Një orë pas mbledhjes së seancës së parë parlamentare pas konstituimit të parlamentit, Partia Socialiste do të mbledhë grupin parlamentar.
Report Tv mëson se mbledhja do të zhvillohet në orën 16:00 dhe do të drejtohet nga Taulant Balla, i cili gjatë mandatit të tretë të qeverisjes nga kryeministri Edi Rama, do të vazhdojë të kryejë këtë detyrë, por jo atë të sekretarit të përgjithshëm të PS. Ky post pas 4 vitesh në drejtimin e Ballës, i është besuar Damian Gjiknurit
Pasditen e nesërme deputetët do të mblidhen për të ngritur të gjitha strukturat e reja të parlamentit. Në rendin e ditës është parashikuar miratimi i përbërjes së 8 komisioneve të përhershme; 5 prej të cilave drejtohen nga mazhoranca dhe 3 nga Partia Demokratike. Gjithashtu nesër do të ngrihet edhe byroja e Kuvendit dhe sekretariatet.
Gjatë javës së ardhshme, Parlamenti pritet të mblidhet edhe për miratimin e qeverisë Rama, por data mbetet në dorë të Presidentit të Republikës, i cili duhet të dekretojë emrat e ministrave.
Duke iu referuar vendimit të Gjykates Kushtetuese, Ilir Meta nuk mund të refuzojë asnjë prej ministrave që janë zgjedhur deputetë. Mirëpo ky i fundit fillimisht i ka dërguar një kërkesë prokurorisë ku i kërkon informacione nëse kandidatët e propozuar janë në procese gjyqësore, apo mund të jenë në fazë vlerësimi për t’u nisur hetime ndaj tyre.