TIRANË- Nikoll Beleshi u pa për herë të fundit në Gjirokastër, ndërsa ka më se dy vite që nuk bëhet i gjallë për familjen. Shoku i tij F.D në këtë qytet u tha familjarëve se 41-vjeçari ishte nisur drejt Greqisë. E ftuar në emisionin ”Pa Gjurmë’’ nëna e tij Liza, tha se ky është fakt i pavërtetë, duke ngritur dyshimin se ai është ’’marrë peng”, pasi kalimi i tij në territorin grek ishte i ndaluar që prej marrjes së ekspulsit deri me vitin 2021.
”Ka pas ekspuls deri me vitin 2021. Në Sarandë ka punuar. Një shok i djalit na tha se ka ik në Greqi, por nuk është e vërtetë. Në vitin 2017 ka hyrë ilegalisht dhe e kanë kapur prapë. Para 4 vitesh e ka takuar për herë të fundit djalin. Në Sarandë ka punuar dy vite si çoban tek një familje. Çdo gjë bënte, çdo punë. Pastaj është larguar nga aty dhe ka ikur në Gjirokastër. Ai s'na fliste ku qëndronte. Një nip punon në Greqi dhe na tha se ishte takuar në Shqipëri, pas dy muajsh qe nuk folëm ne. Ai na tha se ka pi kafe me të. Pronari i hotelit ku kishte fjetur, na ka thënë, se do ikte drejt Maqedonisë së Veriut. Ishalla ka ikur në Maqedoni. Unë dyshoj se e kanë marrë me forcë. Se mund ta ketë bërë shoku në Gjirokastër-pohoi nëna Liza, në studio.
Më parë ka jetuar në Athinë të Greqisë, ndërsa kishte krijuar familje atje. Ai u nda nga e shoqja dhe vetë u kthye në Shqipëri ku jetoi afro 8 vite derisa u zhduk, papritur. Ndërsa djalin e la kur ishte afro 3 vjeç. Shkak për ndarjen me nusen, të cilën nëna nuk ia njohu kurrë, u bë alkooli.
"Ka qenë i martuar dhe e ka lënë djalin 3 vjeç. Ai ka qenë një djalë punëtor. Ishte shumë bujar. Ai ka jetuar më Athinë bashkë me familjen. Unë nuk e njoh as nusen. As djalin e Nikollës. Janë divorcuar prej pijes. Nuk ka patur konflikte me nusen. Në Shqipëri nisi jetën i vetëm. Afro 7-8 vitet e fundit jetoi këtu. Divorcin nuk e ka bërë atje. Më shumë rrinte në Sarandë. Ndërsa herë të tjera qëndronte tek unë. Rrallë fliste me djalin në telefon-tha nëna.
Nikoll Beleshi djali nga Mirdita vendosi të kthehet në Shqipëri në vitin 2011, pranë familjes në qytetin e Lezhës. Familja denoncoi humbjen e Nikollës në Shqipëri, por edhe në Greqi, pasi që prej 17 nëntorit të vitit 2018 nuk dihet më asgjë për fatin e 42-vjecarit.