TIRANË-Një ditë pasi nëna e Bleona Matës hodhi poshtë publikisht pretendimet e avokatit Alban Duraj se vajza e saj ishte gjetur, të dy u përballën live në “Pa Gjurmë” në Report Tv. Përballja u tensionua kur Duraj u pyet se ku i kishte siguruar informacionet për fatin e Bleona Matës, e zhdukur që në moshën 6-vjeçare në Zapod të Kukësit.
Ditën e djeshme në “Pa Gjurmë”, Bukurie Veizi mohoi kategorikisht se e bija ishte gjetur dhe tha se nuk kishte pasur asnjë komunikim privat me avokatin për pretendimet e bëra publike prej tij.
“Nuk është e vërtetë. Po habitem, u shokova. Kush mund të jetë kaq i aftë sa ta japë këtë lajm? Njerëzit e paligj përdorin dobësinë dhe luajnë me ndjenjat e një nëne. Mos abuzoni me këtë dhimbje. Si mund ta shprehë këtë një avokat pa pasur telefonatë me mua, pa pasur takim privat me mua? Nuk kam asnjë komunikim me Alban Durajn”, tha Bukurie Veizi në Pa Gjurmë një ditë më parë.
Duraj kishte deklaruar në disa dalje mediatike se Bleona ishte gjetur dhe ishte birësuar nga një çift grek dhe se tashmë ishte studente ekselente me bursë në një universitet europian. Por i pyetur në “Pa Gjurmë” se nga i kishte marrë këto informacione, avokati tha se bëhej fjalë për hipoteza të ngritura nga vetë nëna.
Odeta Dume: Ku i ke siguruar informacionet?
Alban Duraj: Informacionet janë hipoteza të cilat janë ngritur nga nëna.
Odeta Dume: Pra, këto t'i ka thënë nëna? Nëna s'e ka thënë asnjëherë këtë, Alban.
Alban Duraj: Po pse duhet t'i thotë gjithmonë te ‘Pa Gjurmë’? Ti e ke ekskluzivitetin?
Për të sqaruar pretendimet, “Pa Gjurmë” futi në një lidhje direkte edhe Bukurie Veizin. Nëna mohoi sërish se i kishte dhënë Durajt informacion se e bija ishte gjetur.
Alban Duraj: Zonjë Bukurie, a është e vërtetë që ne kemi komunikuar dhe ju më keni falënderuar për gjithë angazhimin tim publik?
Bukurie Veizi: Kam falënderuar në studio.
Debati u tensionua edhe më tej kur gazetarja Odeta Dume këmbënguli që avokati të tregonte burimin e pretendimeve të tij.
Alban Duraj: Nuk të morëm autorësinë, Odeta. Çfarë halli ke ti, mos të marrim famën?
Odeta Dume: Për famë je ti, i dashur Alban. Mos më trego famën. Mos e kalo personale. Nëse do ta kalosh personale, unë kam të drejtën, si moderatore, të të tregoj derën që të dalësh nga kjo studio.
Pas kësaj përplasjeje, Duraj u largua nga studioja, ndërsa nëna e Bleonës paralajmëroi se çështjen do ta ndiqte në rrugë ligjore.
Bleona Mata u zhduk më 22 maj 2010, kur ishte vetëm 6 vjeçe. Që prej asaj dite, janë zhvilluar kërkime, janë hetuar pista të ndryshme dhe herë pas here janë publikuar informacione që kanë rikthyer shpresën për gjetjen e saj. Por deri më sot, asnjë prej tyre nuk ka çuar në zbulimin e vendndodhjes së Bleonës.
Përplasja e plotë në Pa Gjurmë
Odeta Dume: Që të jemi më të saktë, nëna e Bleonës ngriti shumë pyetje dje që kërkojnë përgjigje. Na u përgjigj, ku i ke siguruar informacionet?
Alban Duraj: Informacionet, edhe në emision po ta shikosh, janë hipoteza të cilat janë ngritur nga nëna.
Odeta Dume: Pra, këto t'i ka thënë nëna?
Alban Duraj: Patjetër. Informacionet që unë...
Odeta Dume: Sepse nëna, të paktën në studion e emisionit “Pa Gjurmë”, ku vjen çdo herë dhe kërkon ndihmë, nuk e ka thënë asnjëherë këtë, Alban.
Alban Duraj: Po pse duhet ta thotë vetëm te emisioni “Pa Gjurmë”? Vetëm ti e ke ekskluzivitetin?
Odeta Dume: Jo. Të lidhemi me nënën. E kemi Bukurien? Ma bëni gati dhe të jetë përballë. Zonjë Bukurie, përshëndetje!
Bukurie Veizi: Përshëndetje, Odeta. Ju përshëndes ju dhe emisionin.
Odeta Dume: Nuk e di nëse je duke na ndjekur. Jam me Alban Durajn, i cili tregon se informacionet i ka marrë nga ty. Jeni ju që ia keni dhënë informacionin se Bleona është studente ekselente në një nga universitetet më të mira?
Bukurie Veizi: Në qoftë se unë kam një kontakt, vetëm një të vetëm, unë do ta kisha falënderuar shumë këtë njeri për mbështetjen për Bleonën. Të ngrihet dhe të kërkojë falje publike për atë që ka shkaktuar.
Alban Duraj: Zonja Bukurie, a më keni falënderuar ju mua? A është e vërtetë që ne kemi komunikuar dhe ju më keni falënderuar për gjithë angazhimin tim publik?
Bukurie Veizi: Kam falënderuar në studio.
Odeta Dume: Bukurie, të lutem, të jemi transparentë. Dje ti ke thënë që të gjitha informacionet janë të pavërteta. Albani thotë nga studioja e emisionit “Pa Gjurmë”: “Më ka falënderuar Bukuria”, që është më se normale, Alban, që një nënë të falënderojë këdo që ndihmon për të bijën. Por i ke thënë ti që Bleonën e kam gjetur? Ndoshta nuk ke dashur ta ndash me mua?
Alban Duraj: Nuk të morëm autorësinë, Odeta. Çfarë halli ke ti, mos të marrim famën?
Odeta Dume: Për famë je ti, i dashur Alban. Mos më trego famën. Mos e kalo personale, Alban. Nëse do ta kalosh personale, unë kam të drejtën, si moderatore, të të tregoj derën që të dalësh nga kjo studio.
Alban Duraj largohet nga studio.
Odeta Dume: Atëherë nuk ia vlen, e dashur Bukurie, që një avokat që unë e ftoj në studio t'u japë përgjigje të gjitha atyre që ka thënë lart e poshtë, nëpër podkaste të ndryshme, se Bleona është gjetur, të vijë këtu dhe të merret me mua. Nuk e kam ftuar Albanin të merret me mua. Nëse do të merret me mua, le ta bëjë jashtë kamerave apo në një media tjetër.
Sot Alban Durajn e ftova për Bleona Matën, për të treguar çfarë ka ndodhur dhe nga i ka marrë ato informacione. Jashtë kësaj studioje mund të jemi fqinj, por këtu jam gazetare dhe do të bëj punën time profesionale.
Bukurie Veizi: Odeta, të lutem, ne do të përballemi para drejtësisë me avokatin Alban Duraj. Unë këtë punë nuk do ta lë me kaq. Bravo të qoftë për punën e palodhur. Në qoftë se kam një telefonatë me Albanin, në qoftë se kam një komunikim, qoftë në zyrë apo qoftë në një kafe...
Odeta Dume: E dashur Bukurie, që të mos humbasim minutat në transmetim pikërisht me këto gjëra. Ndoshta unë besoja që ai sot do të ishte penduar dhe do të kërkonte një falje publike. Më duket një fantazi e Albanit e gjithë kjo. Ti e ke thënë me zë të lartë dje, ma ke thënë edhe sot, që Bleona nuk është gjetur. Të gjithë do të dëshironim që Bleona të ishte gjetur, por ne nuk e kemi këtë informacion.
Bukurie Veizi: Të falënderoj me zemër.
Odeta Dume: Të falënderoj edhe unë.
Bukurie Veizi: Shiko çfarë do të bëhet, sepse nuk i përballet drejtësisë dhe nuk i kërkon falje një nëne. E shikon se të gjitha janë gënjeshtra. Më vjen keq kur nuk ka kontakt fare me mua.
Odeta Dume: Mua më vjen keq për ty, e dashur, por ai është djalë i rritur dhe mban përgjegjësi vetë për të gjitha ato që ka thënë.
SI.E./E.H/Shqiptarja.com
![]()
![]()











Komente
Komento